Skandali tek Onkologjiku dhe mungesa e medikamenteve, deputetja e PD thërret në interpelancë Ministren Koçiu

Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se ka thirru në një interpelancë Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu, pas skandalit tek Onkologjiku dhe mungesës  së medikamenteve.

 Ajo shprehet se alarmet për këtë sistem jetik janë dhënë me kohë dhe se këto probleme nuk mund të mbulohen me propagandën e ditës.

Gjergji shton se sot shërbimi shëndetësor është kthyer në mollë të ndaluar  dhe thekson se sot qytetarët kanë mijëra arsye për të protestuar, mes tyre edhe shërbimi shëndetësor.

Postimi i plotë:

Skandali tek Onkologjiku dhe ajo çfarë po ndodh me mungesën e medikamenteve është pasqyra e gjendjes në të cilën ndodhet shëndetësia shqiptare.

Alarmet për këtë sistem jetik janë dhënë me kohë. Problemet e thella dhe reale nuk mund të mbulohen   nga propaganda e ditës. Ata që kanë hall, që janë çdo ditë në dyert e spitaleve, pacientët dhe familjarët e tyre e dinë të vërtetën.

Për ta, dhe për interesin publik, kam thirrur në  interpelancë nesër në Kuvend, Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu.

Jo llafe boshe, jo strategji PR e marketing.

Por thjesht dhe shqip:

Pse mungojnë ilaçet❓

Pse qytetarët në ditët e tyre më të vështira, nuk e kanë shtetin ku kanë kontribuar në krah, por duhet të bëjnë edhe më shumë sakrifica për të shkuar tek privati❓

Pse kërkohen fajtorë ngado, kur përgjegjësi është ai që erdhi në pushtet me premtimin: shëndetësia falas❓

Sot shqiptarët janë më të varfër, shërbimi shëndetësor është kthyer në mollë e ndaluar.

Qytetarët kanë një mijë arsye për të protestuar mes tyre edhe për shërbimin shëndetësor.

🤝🏼Prandaj do të jemi të gjithë bashkë në 11 korrik, ora 20:00, për të protestuar