Dy ditë para zgjedhjeve, ç'thonë sondazhet në Mbretërinë e Bashkuar?
Mbretëria e Bashkuar do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme ditën e enjte (4 korrik), për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e re.
Sondazhet sugjerojnë një fitore të thellë të laburistëve, të cilët pritet të marrin pushtetin pas 14 vitesh në opozitë. Kreu i Partisë Laburiste, Sir Keir Starmer, me gjasë do të jetë kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar. Kjo sepse laburistët figurojnë rreth 20 pikë mbi konservatorët në sondazhet e fundit të realizuara. Ata pritet të sigurojnë rreth 40% të votave.
Në krahun tjetër, konservatorët figurojnë në sondazhe me vetëm 20%, çka nëse do të realizohet ngre shqetësime për një "super shumicë" laburiste, e cila do t'i vërë ata në vështirësi, madje duke krijuar dilema edhe për partinë më të madhe opozitare në parlament, e cila nuk është diskutuar asnjëherë më parë, duke u ndarë gjithmonë mes dy partive kryesore.
Në vendin e tretë, sondazhet rendisin partinë Reform UK, një forcë e djathtë populiste, e cila u themelua në vitin 2018 si Partia e Brexit por më pas ndryshoi emër. Kjo forcë pritet të marrë rreth 16% të votave, shifër e konsiderushme, që dëmton më së shumti konservatorët, pasi synon votat e djathta.
Liberal Demokratët renditen të katërtit me 11% dhe Të Gjelbërit me rreth 6%.
Kjo është pasqyra e një përmbledhje të disa sondazheve. Shifrat nuk kanë ndryshuar shumë gjatë muajit zgjedhor.
Liderët e dy partive kryesore janë përplasur në debate me njëri tjetrin, kryesisht për ekonominë, rritjen e çmimeve, emigracionin e paligjshëm, çështje të cilat e kanë polarizuar shoqërinë britanike, duke sjellë edhe rritjen e populistëve, të cilët kanë gërryer konservatorët.