Lewandowski paralajmëron Mbappenë për maskën: Është bezdisëse, nuk të lë të shohësh mirë

Kylian Mbappe është paralajmëruar nga Robert Lewandowski se maska që do e përdorë për ta mbrojtur hundën e tij të thyer do të jetë bezdisëse dhe do të ndikojë në vizionin e tij.

Më 2015, kur ishte ende lojtar i Bayern Munchen, sulmuesi polak, Lewandowksi, ishte dashur të vendosë një maskë mbrojtëse pasi kishte përjetuar thyerje të nofullës dhe hundës.

Ylli i ri i Real Madridit, Mbappe, tashmë është në pozitë të njëjtë, pasi u godit në fytyrë nga mbrojtësi austriak, Danso gjatë “EURO 2024”.

Para ndeshjes së Francës ndaj Polonisë në Dortmund, Lewandowski ka folur rreth gjendjes së Mbappes, duke thënë se mund të jetë goxha bezdisëse.

“Kur më është dashur ta vendosja vetë, nuk ishte e këndshme. Ishte shumë bezdisëse, veçanërisht në zonën e penalltisë, kisha probleme, nuk mund të reagoja, nuk mund të shikoja mirë, vizioni im ishte i shkurtuar. Janë thjesht vetëm disa të qindtat e sekondës, por të mjaftueshme për të ngadalësuar reagimin e një lojtari. I kuptoj vështirësitë që ai po kalon dhe do të kalojë”, tha Lewandowski në konferencë për shtyp.