Intervista shokuese e Pogba: 'Mbaroi, nuk ekzistoj më'

Heshtja ka rënë mbi Paul Pogba pas skualifikimit të gjatë për doping, i cili efektivisht rrezikon t’i japë fund karrierës së francezit. Në të vërtetë, duket se tashmë kjo karrierë ka përfunduar, duke gjykuar nga fjalët që mesfushori tha në një video intervistë në rrjetin social “hietip.sports”, që e shpërndau në kanalet e saj, së bashku me pamjet e “Oktapodit” duke ngritur Kupën e Botës. “Mbaroi, Paul Pogba nuk ekziston më”, deklaroi kampioni francez.

Gazeta ‘The Guardian Nigeria’ ka publikuar edhe pjesë të tjera nga intervista, të cilat ende nuk janë bërë të ditura, duke i atribuar këto fjali francezit Pogba:

“Unë tashmë nuk e di më se kush jam. Futbolli ishte jeta ime dhe pasioni im. Por tani më duket sikur kam humbur gjithçka që kam ndërtuar në karrierën time profesionale”. Praktikisht, fjalë të cilat, nëse konfirmohen, nuk lënë vend për interpretime të mëdha: Pogba e ka bërë të qartë se njoftimi për tërheqjen e tij nga sporti është afër.

Për momentin kontrata e tij me Juventus nuk është ndërprerë ende për shkak se apelimi për skualifikimin është në pritje. Por tashmë është e qartë se e ardhmja e tij është shumë larg Torinos. E ndoshta edhe nga futbolli i luajtur.