Largohet si kapiten dhe si fitues, Nacho e mbyll aventurën me Real Madrid

 

Lajmi që qarkullonte prej disa kohësh është zyrtarizuar. Nacho nuk është më lojtar i Real Madridit. Ai ishte përfolur për një kalim të mundshëm tek Interi, por lojtari do të luajë në Arabi për Al Qadsiah.

Ishte vetë klubi i Real Madrid, që përmes një deklarate zbardhi të gjithë dilemat e mundshme:

“Real Madrid njofton se kapiteni ynë Nacho Fernandez ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si lojtari ynë. Real Madrid dëshiron të shpreh mirënjohjen dhe dashurinë e tij për Nachon. Nacho është një nga legjendat e mëdha të klubit dhe iu bashkua Realit të Madridit në vitin 2001, kur ishte vetëm 10 vjeç, dhe luajti në të gjitha kategoritë e të rinjve të ekipit tonë deri sa u bë titullar në vitin 2012.

Që atëherë, ai ka veshur fanellën tonë për 12 sezone. Gjatë gjithë kësaj kohe Nacho luajti 364 ndeshje dhe fitoi 26 tituj: 6 Kupa të Europës, 5 Kupa të Botës për Klube, 4 Superkupa Europiane, 4 Kampionate, 2 Kupa të Mbretit dhe 5 Superkupa të Spanjës.

 Për më tepër, me përfaqësuesen spanjolle Nacho u shpall kampion i Evropës për U-21 dhe kampion i Ligës së Kombeve, ndërsa aktualisht është duke luajtur në “Euro 2024” në Gjermani. Nacho e mbyll karrierën te Real Madridi si kapiteni që fitoi “Decimoquintan” në Wembley, si një nga pesë lojtarët që fituan 6 Kupa Evropiane.”-mbylli deklaratën klubi madrilen.