Luftë për kualifikim në 'Red Bull Arena', publikohen formacionet e sfidës Kroaci-Itali

Përveç “Legjionarëve” tanë, për një biletë, që i dërgon në fazën me eleminim direkt, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024 do të “luftojë” edhe Kroacia, e cila ndodhet në vendin e fundit të Grupit B, me 1 pikë dhe në orën 21:00 do të përballet me “Të Kaltërit” e Italisë, në “Red Bull Arena”, të Lajpcigut, ku një fitore ndaj tyre do t’i siguronte kualifikimin.

 

Sa i përket formacioneve, tekniku Zlatko Dalic i ka pozicionuar “Të Zjarrtë” e tij në fushë, me formulën 4-3-3, me portën që do të mbrohet sërish nga Livakovic. Në krahët e mbrojtjes janë Stanisic e Josko Gvardiol, ndërsa Sutalo e Pongracic mbulojnë qendrën. Në mesfushë “brezi i artë” ka sërish shancin të shkëlqejë, me treshen Modric-Kovacic-Brozovic, që do të drejtojnë sulmet kroate, ndërsa në repartin ofensiv pozicionohen Sucic, Kramaric e Pasalic.

Në krahun tjetër, tekniku Luciano Spalletti ka vendosur të përdorë formulën 4-2-3-1, ku në portë është vendosur kapiteni Donnarumma. Në mbrojtje vendosen Darmian, Calafiori, Bastoni e Di Lorenzo, ndërsa fill para tyre janë Jorginho e Nicolo Barella. Më të avancuar janë Dimarco, Pellegrini e Raspadori, ndërsa sulmi i është besuar “yllit” të Genoa, Mateo Retegui.