Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

Qipro/ Zjarre dhe viktima nga temperaturat e larta

Vala e të nxehtit ka përshkuar Qipron. Në ishullin grek, vetëm këtë javë temperaturat kaluan 40 gradë Celsius, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 84-vjeçare. Tre pacientë të tjerë të moshuar janë në gjendje të rëndë.

Nxehtësia ekstreme ka shkaktuar gjithashtu zjarre dhe erëra të forta, të cilat ndihmojnë në shtimin e flakëve, duke e bërë më të vështirë punën e autoriteteve. Një zonë malore në jugperëndim të ishullit është prekur nga zjarret dhe më shumë se 3.2 km katrorë pyje janë djegur.

Belgjikë/ Protesta të shumta në Bruksel

Rrugët e Brukselit janë mbushur me mbi 4,000 njerëz, të cilët kanë protestuar kundër të djathtës ekstreme dhe racizmit. 20 lëvizje të ndryshme sociale dhe organizata u mblodhën me një qëllim të vetëm: Të solidarizohen me të gjithë, pavarësisht kombësisë të njerëzve e statusit social të tyre. “Një shoqëri që nuk përjashton, një shoqëri që nuk është raciste apo seksiste”, ishte një ndër thirrjet e protestës.

Protesta vjen pas zgjedhjeve në parlamentin europian, ku e djathta ekstreme fitoi ndjeshëm. Rezultati më dramatik ndodhi në Francë, ku Partia Nacionaliste e Marine Le Pen u zgjodh e para, duke bërë që Macron të shpërndajë kabinetin dhe ta çojë vendin në zgjedhje të parakoshme.

Gaza/ Izraeli njofton se do të mbajë pauza për furnizimin me ushqime

Ushtria e Izraelit ka bërë me dije se do të ketë pauza të përditshme në operacionet ushtarake, në mënyrë që njerëzit në Gaza të furnizohen me ndihma ushqimore e mjekësore pas paralajmërimeve të shumta të organizatave ndërkombëtare se kriza humanitare vijon të jetë alarmante.

Megjithatë, u bë me dije se do të vazhdojnë luftimet në Rafah, ku Izraeli thotë se po lufton me luftëtarët e fundit të Hamasit. Aktivitetet ushtarake do të ndalen nga ora 5:00 deri në 16:00 gjatë ditës, të paktën momentalisht, deri në një tjetër njoftim.

Xhihadi islamik thotë se pengjet izraelite do të lirohen kur Izraeli të tërheqë trupat

Xhihadi islamik, aleat i Hamasit, i cili kreu një sulm në Izrael, më 7 tetor 2023, u shpreh se mënyra e vetme që të lirohen pengjet e rrëmbyera pranë Tel Avivit është që Izraeli të tërheqë trupat nga Rripi i Gazës, t’i japë fund luftës dhe të arrijë një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë.

Kërkesat janë njoftuar në Telegram. Ndërsa në Rripin e Gazës vijon ende lufta makabre. Gjatë ditës së diel (16/06/2024), u shënua një ndër sulmet më vdekjeprurëse për forcat izraelite qysh në fillim të vitit, ku 8 ushtarë izraelitë gjetën vdekjen nga një shpërthim në Rafah.