Më shumë Opozitë

Nga Grigels Muçollari

Mbijetesa e PD, ringritja e saj, bashkimi dhe ardhja në një moment si ai i marrjes së simboleve, flamurit që kësaj force politike i qe mohuar 3 vite, i dedikohen rezistencës, aksionit të përditshëm. I dedikohen mosshkurajimit, mosrënies në fatalitet e pesimizëm.

Këto arritje erdhën nga rezistenca në kushtet kur gjithë rrethanat ishin kundër. Kur çdo gjë bëhej dekurajuese prej një qeverie omnipotente që kontrollon çdo pushtet dhe titujt kryesorë të lajmeve.

Megjithatë, këmbëngulja dhe besimi sollën jo pak rezultate.

Pra opozitarizmi u shpërblye.

Por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ky rrugëtim është një segment në trajektoren që PD duhet të përshkojë drejt pushtetit. Çka është tanimë e konfirmuar 100 përqind është se deri këtu, gjërat erdhën me Opozitë. Pa kompromis, pa pakte, pa konformim. Me Opozitë të pastër, të vërtetë.

Dhe prej kësaj, kuptohet se leksioni i marrë është se për të shkuar edhe më tej, edhe më lart, duhet më shumë Opozitë.

Më shumë opozitë, më shumë energji, më shumë rezistencë, më shumë protestë. Ky ngelet i vetmi shteg për ta bërë shoqërinë të kthejë vemendjen nga keqqeverisja, për ta bërë atë të rrisë kontaktet me një partner në kushtet kur pakënaqësia ndaj qeverisjes është në rritje.

Më shumë Opozitë, do ta bëjë PD-në të duket gjithnjë e më serioze, do të ngjallë kreditet publike për të cilat njerëzit skeptikë e të lodhur nga politika, kanë nevojë të shohin.

Të premten është një tjetër takim për të bërë më shumë Opozitë. Në dyert e Bashkisë aksioni vijon.

Eshtë e qartë se nëse Erion Veliaj është sot më i dobësuar se kurrë, si në sytë e publikut ashtu edhe brenda radhëve të partisë së tij, kjo ka ardhur nga aksioni opozitar. Për të shkuar edhe më larg, për të patur suksesin që kjo lëvizje meriton, pasi kryebashkiaku është kapur në vjedhje monstruoze, duhet thjesht më shumë Opozitë, nga të gjithë.

Kjo është rruga, kjo është e vetmja rrugë.