Kthimi i vulës te PD pas 3 vitesh/ Neza: Loja e sistemit të drejtësisë me opozitën, e pashembullt edhe në diktatura

Analisti Sami Neza, i ftuar në TASK FORCE në SYRI TV ka komentuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të rikthyer vulën dhe simbolet në Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Sipas Nezës, zgjatja e procesit prej tre vitesh komprometon drejtësinë, gjykatat dhe veçanërisht Gjykatën e Apelit e cila vë në dyshim të tërë hirearkinë e drejtësisë.

‘Loja që ka bërë me opozitën sistemi i drejtësisë, gjykatat e niveleve të para është një lojë që nuk ka një shembull tjetër jo e jo në botën demokratike por edhe në këto diktaturat apo gjysëmdiktaturat’, u shpreh Neza.

Neza: Ne themi që po përjetojmë regjim por regjimi nuk është i barabartë me diktaturën. Regjimi është një pamje e zbutur e diktaturës, ka hapësira për të krijuar mendim dhe për të ruajtur integritetin dhe për të reflektuar profesionalizmin në rastin e gjykatësve.

Në lidhje me nëse mund të flasim për drejtësi të dirigjuar nga qeveria, nga regjimi, mjafton të ndajmë vendimet që janë dhënë qoftë vendimi kundër Partisë Demokratike qoftë vendimet pro Partisë Demokratike t’i ndajmë nga procesi dhe të lëmë vetëm procesin.

Që nga marsi 2022 dhe deri kur është dhënë vendimi i parë i Apelit ka kaluar një vit e tëra në shkelje të çdo procedure apo kërkese ligjore po edhe të natyrës së vetë çështjes e cila reflektonte impakt të madh te publiku rezultati i një vendimi gjyqësor.

Vetë kjo zgjatje e komprometon drejtësinë, gjykatat dhe veçanërisht Gjykatën e Apelit e cila vë në dyshim të tërë hirearkinë e drejtësisë sepse ashtu siç prodhohet një presion nga opinioni publik nga opozita nga mediat, mund të krijohej edhe një presion nga brenda profesional brenda institucioneve të drejtësisë për të respektuar ligjin.

Kemi qeverinë e drejtësisë, ILD ka të gjithë tagrin për të nisur kryesisht procese me lidhje me këtë çështje. Kjo do pastronte drejtësinë nga një hije shumë e rëndë që i ra këtyre institucioneve brenda këtyre 3 viteve.

Vendimi i djeshëm është një vendim shpresëdhënës për sistemin dhe frymëzues për shumë gjykatës dhe prokurorë në Shqipëri të cilët kanë integritet që e dua të drejtën dhe sistemin.

Loja që ka bërë me opozitën sistemi i drejtësisë, gjykatat e niveleve të para është një lojë që nuk ka një shembull tjetër jo e jo në botën demokratike por edhe në këto diktaturat apo gjysëmdiktaturat.