Dodik: Në Srebrenicë nuk u vra askush, do t’ia ndryshojmë emrin qytetit

Presidenti i etnitetit të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, vazhdimisht i shtyn kufijtë e neverisë dhe primitivizmit të tij kur bëhet fjalë për fyerjen dhe poshtërimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Kështu, Dodik tha në një paraqitje në televizionin serb Happy se “më 11 korrik nuk ka pasur asnjë operacion në Srebrenicë, se askush nuk ka vdekur e nuk është vrarë dhe se ‘ata’ e përkujtojnë atë datë”.

Ai shtoi gjithashtu deklaratën skandaloze se “çdo kush që vdiq, vdiq jashtë Srebrenicës”, raporton klix.ba.

 “Kjo është arsyeja pse disa nga njerëzit tanë në Srebrenicë nisën një iniciativë për të ndryshuar emrin e komunës në mënyrë që ajo të mos quhet Srebrenicë, por t’i jepet një emër tjetër”, tha Dodik.

Duke komentuar Rezolutën mbi gjenocidin në Srebrenicë, Dodik vuri në dukje se “ajo është jo detyruese, por është gjithashtu një problem serioz që ekziston fare”.