Akil Pano del në shesh: Ambasadorë, ne jemi shqiptarë, po mbrojmë familjet

Pastori Akil Pano, thotë se po mbron familjet e shqiptarëve, duke shpallur si rrezik ndaj familjes disa projektligje të qeverisë Rama, siç janë projektligji për surrogacinë, abortin në moshën 16 vjeçare, etj, por edhe komunitetin LGBT+ dhe atë që e quan "axhendë" të këtij komuniteti kundër familjes tradicionale. 

Pano ka bërë thirrje për firmosjen e një peticioni kundër këtyre projektligjeve. 

Pastori gjithashtu pati një mesazh për ambasadorët e huaj në Shqipëri, të cilëve u tha se Perëndimi ka shumë nevojë për ndihmë nga Zoti, ndërkohë që i kujtoi se popullsia që banon këtë shtet "janë shqiptarë". 

Tubimi vjen në kohën kur në Shqipëri kanë shpërthyer polemikat, për shkak të dasmës simbolike mes dy grave lesbike në tarracën e Bashkisë së Tiranës, akt ky që bëri bashkë thuajse të gjitha komunitetet fetare, që e dënuan si të papranueshëm me doktrinat e tyre. 

Ndërkohë në datën 25 maj do të mbahet Parada e Krenarisë së Komunitetit LGBT+, ku një ndër kërkesat themelore të këtij komuniteti, është njohja ligjore e martesave të së njëjtës gjini.