Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë?

Iran/ Vdekja e presidentit dhe ministrit të Jashtëm: Shpallen 5 ditë zie

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, 63 vjeç dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, ndërruan jetë pas përplasjes së helikopterit në Azerbajxhanin lindor, ndërsa po ktheheshin nga udhëtimi i tyre. Raisi është një ndër emrat më të njohur të politikës iraniane dhe ai është konsideruar edhe pasardhës i mundshëm i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Ishte pikërisht ky i fundit ai që vendosi që të shpallte 5 ditë zie për vdekjen e dy politikanëve.

Sipas televizionit shtetëror iranian, helikopteri u rrëzua më 20 maj, për shkak të motit të keq. Lideri suprem mori masa të menjëhershme, duke emëruar zëvendëspresidentin, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm, në përputhje me kushtetutën iraniane. Emërimi i presidentit të ri do të kryhet për 50 ditë.

Ukrainë/ Trupat ukrainase kontrollojnë pjesën më të madhe të kufirit

Trupat ukrainase janë ende nën kontroll të Vovchansk dhe janë duke luftuar dhëmbë për dhëmbë me rusët për të mbrojtur rajonin e verilindjes së Kharkiv. Ata janë në kontroll të 60% të territorit. Nëse Vovchansk bie në duart e rusëve, do të shënonte një fitore të rëndësishme, pasi do të mund të depërtonte në pjesë të tjera të rajonit.

 “Armiku vazhdon të përpiqet, veçanërisht brenda Vovchansk, të shtyjë Forcat e Armatosura të Ukrainës jashtë qytetit,” tha zëvendësguvernatori i rajonit të Kharkiv, Roman Semenukha, duke bërë me dije edhe se sulmet ruse nuk po ndalen.

India e veriut goditet nga i nxehti ekstrem

India e veriut, përfshirë edhe Delhi-n, është goditur nga një valë e fortë e të nxehtit, me temperatura ekstreme që shkojnë deri në 45 gradë Celsius. Dy ditë më parë, rajoni Najafgarh shënoi temperaturën më të lartë të sezonit, 47.8 gradë Celsius. Sipas departamentit të motit në Indi, me shumë gjasa, të tilla temperatura do të vijojnë gjatë gjithë javës.

Departamenti Meteorologjik Indian (IMD) u shpreh se gjithashtu vendi mund të përjetojë valë të nxehta më të gjata dhe më intensive këtë vit, duke parashikuar temperatura prej 45-46 gradë Celsius në ditët në vijim.

Gjykata Penale Ndërkombëtare kërkon urdhra arresti për liderin e Hamasit dhe Benjamin Netanyahu

Gjykata Penale Ndërkombëtare kërkon urdhra arresti për Yahya Sinwar, liderin e Hamasit, si dhe për presidentin izraelit, Benjamin Netanyahu. Akuzat ndaj tyre lidhen me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Ky vendim e vendos Netanyahu-n në të njëjtin pozicion si presidentin Vladimir Putin, i cili gjithashtu ka marrë urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.