Si u rekrutua ish-kryeprokurori special i Malit të Zi nga bandat kriminale

Ish-kryeprokurori special i Malit të Zi, Milivoje Katniç u arrestua së bashku me një ish-zyrtar të lartë policor, të quajtur Zoran Lazoviç.

Lajmi bëri shumë bujë në mbarë rajonin, ndërsa raportohet se hetimet ishin nxitur nga Bashkimi Europian. Edhe në këtë rast, zbërthimi i komunikimeve në rrjetin SKY duket se ka luajtur një rol vendimtar për hetimin e tyre.

Mediat e Malit të Zi raportojnë se ishte pikërisht zyrtari i lartë policor Zoran Lazoviç që kishte formuar një organizatë kriminale në vitin 2020.

Ai kishte rekrutuar në këtë organizatë të birin e tij, Petar, që vepronte si ‘agjent i maskuar’; kryeprokurorin special Katniç dhe prokurorin special Sasha Cadenovic, të arrestuar më herët.

Qëllimi i bandës ishte të bashkëvepronte me grupin kriminal famëkeq të Radoje Zvicer nga Kotori me qëllim përfitimesh të paligjshme.

Lazoviç dhe Katniç ndihmuan edhe kriminelët famëkeqë serbë Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç që të futeshin në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, edhe pse ndaj tyre kishte një urdhër-ndalimi.

‘Vëllezërit’ Belivuk dhe Miljkoviç njihen si njerëz të ngushtë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Pasi i ndihmuan të futen në mënyrë të ligjshme në Mal të Zi, Lazoviç u dërgoi një mesazh në SKY.

“Tani jeni të sigurtë. Tani mund të udhëtoni. Ky është një vend i sigurt. Faleminderit që udhëtuat me SBPOK (sektori i luftës kundër krimit të organizuar)”.

Lazoviç i dërgonte mesazhe kryeprokurorit special dhe ky i fundit udhëzonte prokurorin special Cadenoviç se si duhej të vepronte.