VIDEO/ Lika: Ai tender aq simbolik më dha të kuptoj sa është shtrirë vjedhja e kësaj administrate

Audituesja ligjore Meri Lika e ka ilustruar sot me një shembull fare të thjeshtë se si zhvaten, që nga punonjësi i shkallës më të ulët të administratës deri tek maja, paratë e taksapaguesve shqiptarë.

E ftuar mbrëmjen e së hënës në emisionin Task Force në SYRI TV pikërisht për këtë temë, shpërdorimin e parave publike, znj. Lika tregoi:

“Kam një rast timin personal gjatë një auditimi që kam kryer, ku kam hasur dokumentacione të një tenderi me vlerën shumë simbolike, tetëqind mijë lekë të reja, - tha ajo, - ku njëra nga punonjëset kishte arritur deri aty sa të deformonte të gjitha kërkesat që kishte parashtruar titullari i institucionit, duke vendosur kushte të cilat mendonte se i plotësonte një i njohuri i saj.

Kur kam parë këtë rast që ishte për një shumë të tillë, 800 000 lekë të reja ose 8 milionë lekë të vjetra, kam kuptuar se nuk besoj se ka më punonjës administrate, të cilët nuk shkojnë me qëllimin për të përfituar.

Ishte një nivel kaq i ulët tenderi për botimin e një libri, simbolik dhe i ishte vendosur një kusht i çuditshëm që, ky person që duhet ta shtypte këtë libër, duhej të kishte një çertifikatë që ishte për kuti kartoni(!!!), që nuk kishte lidhje fare me shtypjen e librit.

Finalja e këtij tenderi kaq të vogël ka qenë që titullari e pikasi për shkak të një online që ne kishim zbardhur dhe kemi sinjalizuar, që shpëtuan ato tetëqind mijë lekë të reja.

Mendoni sa tenderë të tillë ka përditë që nuk janë kaq simbolikë, por që janë shumë më shumë, siç janë tenderët e 5D-ve apo prokurimeve të tjera publike!

Gjykoj se vjedhja e kësaj administrate është e shtrirë si vertikalisht, edhe horizontalisht; nuk kanë lënë më asnjë nyje dhe se do të jenë shumë të rrallë  punonjësit e administratës që nuk përfitojnë apo që janë të ndershëm,” nënvizoi znj. Lika në vazhdim.