SYRI TV/ Fier, ujërat e zeza kërcënojnë fëmijët, kanali pranë shkollës 9-vjeçare
Një rrugë e pashtruar para si dhe një kanal ku derdhen ujërat e zeza, është kthyer për rrezik për nxënësit e shkollës 9-vjeçare në fshatin Vrezhtas të Fierit. Banorët thonë se janë ankuar në bashki, por deri më sot askush nuk ka marrë masa për pastrimin e kanalit.
Nga SYRI TV
Kanali ka vite që nuk pastrohet, ndërsa në të derdhen ujërat e zeza të fshatit. Neglizhenca e bashkisë Fier, ka bërë që ky kanal të kthehet në një bombë ekologjike për fshatin, duke rrezikuar kryesisht jetën e nxënësve të shkollës “9 vjeçare”.
Siç shihet nga pamjet, jo vetëm ujërat e zeza, por edhe mbetje të ndryshme urbane derdhen në këtë kanal, ndërsa banorët thonë se paçka ankesave, askush nuk ka vënë dorë për pastrimin e tij.
Situata më shqetësuese bëhet gjatë stinës së verës, kur temperaturat rriten dhe për pasojë, kanali kthehet në habitat për insekte të rrezikshme, që kërcënojnë shëndetin e komunitetit.