Ironia e Strazimirit: Jam i bindur se edhe nëse i pyet se cila ka qenë tema e ‘samiteve’ ... nuk e mbajnë mend

Nga Gent Strazimiri

"Pas këtij samiti, Shqipëria ka një peshë tjetër në arenën ndërkombëtare" (e ka në kuptimin që është bërë më e rëndë)...

"I vetmi sukses i kësaj qeverie në këto 10 vite, është politika e jashtme", thotë ky tjetri...

Janë copëza titrash e sinkronesh gjatë një lëvizjeje të pultit të televizorit...

Njëri qënkësh "ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare"...(?!)

Tjetri drejtues i një gazete që nuk e kam dëgjuar ndonjëherë... (?!)

Të paktën kështu shkruanin titrat poshtë...

Problemi është se nuk duket ta kenë me porosi, si rëndom, prej pronarit respektiv të televizionit nga ku flasin...

Situata është edhe më keq akoma: duket qartë që besojnë vërtetë...

Se ç'peshë në politikën e jashtme ka, e ç'sukses ka korrur në 10 vitet e fundit një qeveri që nuk po hap dot as negociatat me BE kur i gjetën të gjitha gati këtu e 11 vjet më parë, kjo mbetet e paqartë...?! Nuk e shpjegojnë!

Se ç'dokument që ka bërë histori është firmosur në Tiranë ndërkohë, megjithë këto ecejake jabanxhinjsh... edhe këtë nuk po e thonë...

Jam i bindur se edhe nëse i pyet se cila ka qenë tema e "samiteve"... nuk e mbajnë mend (dhe këtu nuk kanë faj se nuk ka patur gjë për të mbajtur mend)...

Ajo që mbetet nga e gjithë kjo "analizë" është fakti i trishtë se për këta, "suksesi" dhe "pesha" në politikën ndërkombëtare është ai tapeti i kuq që ky e zhvendos sa tek Stadiumi, tek Piramida e tek Pallati i Kongreseve...

Po bëri edhe ndonjë vagabondllëk me ndonjë prej të pranishëmve, "suksesi" dhe "pesha" rriten, sepse ky është edhe "trendy"...

Domethënë, një lloj "cirku në fshat", i bërë enkas për ruralët e frustuar, të bullizuar, që bëjnë garë nëpër studio me keqkuptimin se duke e lëvduar me zell dëshmojnë se janë bërë edhe këta "çuna Tirone"... si "Ai"...

E keqja është se po i ecën!

Paburrëria e atyre që kanë mend mjaftueshëm për ta kuptuar dhe analizuar, por që refuzojnë se kanë frikë ta thonë publikisht, u le vendin nëpër studio këtyre kooperativistëve të mbytur në komplekse, e që mendojnë se duke e adhuruar publikisht "cirkun" bëjnë edhe një "upgrade" në këtë ish-qytet që, Tiranë i ka mbetur vetëm emri...

Që e kanë varfëruar e denatyruar në mendje e cipë qytetarie, aq sa ç'e kanë përdhunuar me kulla kokaine që shtohen çdo ditë megjithëse askush nuk afrohet t'i blejë...

Janë pasqyrë e njëra-tjetrës...

Deri në zgjidhjen e këtij keqkuptimi, "suksesi" dhe "pesha" në diplomacinë ndërkombëtare e Shqipërisë do të mbetet fakti se cilido nga ata që na vizitojnë do vazhdojë të na thotë se sa mirë jemi, jo sa mirë do bëhemi...

KAQ!