FOTO/ Shembja e papritur e urës lë dy punonjës të vdekur e dy të plagosur në Holandë

Të paktën dy njerëz kanë vdekur dhe dy janë plagosur kur një urë në ndërtim është shembur sot në Hollandë.

Kryebashkiaku i Lochem, Sebastiaan van’t Erve tha për rrjetin AFP se ishte “i shokuar” nga tragjedia në lindje të vendit.

Ngjarja ndodhi kur një segment i urës po montohej në vend në qytezën e Lochem, kur papritur kabllot që e mbanin u këputën duke e lëshuar të përplasej përtokë.

Një gazetar i AFP tha nga vendngjarja se një komandë e lëvizshme policie ishte ngritur duke punuar bashkë me zjarrfikësit.

Zyrtarët rekuperuan dy trupa pasditen e sotme, pas disa orë pune, sipas agjencisë vendase ANP.

Kryebashkiaku tha se komuniteti është i shokuar nga aksidenti i papritur.

“Ne e planifikonim këtë rrugë prej 20 vitesh ndërsa ndërtimin e planifikonim prej pesë vitesh, ndërsa tani gjithçka shembet përtokë duke vrarë dy njerëz e duke plagosur dy të tjerë,” tha Sebastiaan van ‘t Erve për rrjetin francez AFP.

Ende nuk dihet çfarë e shkaktoi aksidentin.

Dy viktimat ishin punonjës të ndërtimit të urës që në mometin tragjik ranë nga lartësia.

Dhjetra nejrëz kishin ndaluar për të shikuar teksa segmenti vendosej në vend por u shokuan nga tragjedia e shpalosur para syve.

Aksidente të tilla industriale janë të rralla në Holandë, vend që njihet për kode strikte ndërtimi dhe me eksperiencë shekullore në ndërtimin e urave, kanaleve e digave.