Albi Jahelezi: Në 11 vite opozitë është akumuluar zemërimi i popullit, protesta e sotme ‘një stacion’ i shqiptarëve

Protesta që do të mbajë Partia Demokratike ditën e sotme (20 shkurt) në Tiranë pritet që të jetë një datë historike për demokracinë shqiptare.

Kjo datë është e zgjedhur nga kreu i PD Sali Berisha, duke njësuar situatën e viteve 90 me situatën e sotme politike.

Albi Jahelezi, këshilltar bashkiak në Tiranë i Partisë Republikane i ftuar mëngjesin e sotëm në ‘Kafe Shqeto’ u shpreh se zemërata e akumuluar nga populli këto 11 vite në opozitë, do patjetër një stacion për të treguar të gjitha këto vuajtje, e ndaj ditën e sotme pritet që pjesëmarrja të jetë e madhe.

Albi Jahelezi:

‘Pjesa më e madhe që ka prekur Shqipërinë nga shpopullimi janë të rinjtë.Por ajo pjesë që ka ngelur është një pjesë shumë e vogël, kështu që kjo pjesë duhet të jenë patjetër prezente në protestën e sotme për shumë arsye.

Pjesa më e madhe që po ikën nga trojet shqiptare janë të moshës 30 vjeç e poshtë dhe kjo është arsyeja më e madhe për të protestuar. Le të mos vazhdojmë pastaj me të drejtat e individit apo ato kushtetuese që do ta çojnë në një protestë rinore ku % më e madhe duhet të përbëhet nga të rinjtë. E di që është e vështirë, por duhet të punojmë fort.

Sipas gjykimit tim protesta e sotme duhet të jetë demokratike dhe qytetare, por zemërata e akumuluar e popullit shqiptar kërkon stacion për të treguar të gjitha këto, pasi u bënë gati 11 vite që jemi në opozitë, apo jo? Ka patur pafund padrejtësira për t'u gjykuar e për t'u shprehur e njerëzit po kërkojnë dita-ditës stacione të mundshme për të shprehur këtë zemëratë të akumuluar.

Ndodhemi në një moment kritik duke parë edhe që Partia Demokratike ishte dhe e ndarë, por u ribashkua dhe une isha pjesë e tryezës që ribashkimit, kështu që gjykoj në vetvete që do të jetë një protestë e mirëorganizuar, por duhet të ndryshojë. Kur them që duhet të ndryshojë them në organizim dhe në menaxhim.’

Klea Sula/ Syri.net