‘Blinken është usb e Sorosit.’-Iriqi bisedon me Edi Ramën

Iriqi:-Zoti Rama, vizita e Blinken në Tiranë…

Rama:-Iriq, mbylle gojën e mos vazhdo! Ti e di që unë nuk u përgjigjem pyetjeve që nuk i kam shkruar vetë. Ndaj uli gjembat e më dëgjo! Unë do flas ti do tundësh kokën. Ok?

Iriqi:-Ok.

Rama:-Të gjithë janë kuriozë të dinë si erdhi Blinken te ne. Në fakt nuk e kishte fare në plan, por Soros e detyroi. Se që ta dish mirë Blinken është USB e Sorosit. Ta sjell ca orë në Tiranë, më pyeti. Sille, po ç’do bëjë, i thashë. Të bëjë çfarë t’i thuash ti, m’u përgjigj. E brenda ditës na e zbriti në Rinas. Sa më takoi më tha, o Edo çfarë do them unë në takime. Me presidentin fol veç për motin se ai vdes për muhabete koti. Me ministrin e Jashtëm shihe në sy, mos nxirr asnjë fjalë e prej tij do dëgjosh pa pushim, yes, yes, yes. Ndërsa ne të dy në zyrë do rrëfejmë barcoleta. Ai u gëzua shumë. Më thuaj sa më shumë se dua t’ia tregoj presidentit Biden sa të kthehem, më tha. Tani Biden veç me barcoleta merret. Madje dhe po i tregove të njëjtën pas pesë minutash ai qesh sërish nga që nuk e mban mend atë që dëgjoi më parë.

Kur erdhi ora e konferencës së shtypit i dhashë një pusullë. Ç’është kjo, më pyeti. Lexoje, i thashë. ‘Edi Rama është kryeministër i shkëlqyer dhe lider demokrat’, lexoi. Kaq pak do them, më tha. Të shtoj që je i papamë, që ble dhe FBI-në, që fut në burg shokët që hanë dardha pas shpinës tënde, që pranon e do pranosh emigrantë nga gjithë bota, që Amerikën e ke idhull, që… Mos se do më bësh qesharak pastaj, ia mbylla gojën. Dhe çdo gjë shkoi ok. Erdhi, na pa, lexoi ato që i shkrova dhe iku i kënaqur ai dhe i kënaqur unë.

Ti do pyesësh pse nuk takoi Bashën? Ai jo që nuk e dinte kush qe Basha, por dhe ishte herët për Lulin. Kur u takua me mua qe ora 4 pasdite. Atë çast Luli bënte gjumin e shtatë. Qesharake ishte situata kur takoi ata të drejtësisë. Me SPAK, Gjykatë e Lartë, Gjykatë Kushtetuese. Nga që ishin si mënjanë Blinken i pandehu si kamerierë dhe i pyeti, ore a keni gati ndonjë hamburger se na griu uria! Ata nuk folën se nuk dinë anglisht, Blinken e mori sikur akoma nuk qe gati ushqimi dhe u largua gjithë nerva.

Më pas iku në Rinas dhe më shkroi që atje: ‘Bën mirë që ke larguar gjithë shqiptarët, për pesë minuta arrita në aeroport. Oh, çfarë kënaqësie që ndjeva!’ Ja IRIQ, kaq qe historia që doje të dije me këtë Blinkenin, ushtarin e Soros.