SYRI TV/ E rëndë, i sëmuri mendor vret nënën e vet 75-vjeçare në Kavajë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vilbashtovë të Kavajës ku Shkëlqim Sokoli, një i ri me probleme të shëndetit mendor, ka dhunuar për vdekje nënën e tij Ike Sokolin, 75-vjeçe. Ngjarja u raportua si vdekje natyrale në fillim, por ekspertiza mjeko-ligjore zbardhi shkakun e vërtetë. Ndërkohë, më herët e moshuara kishte denoncuar disa herë të birin për dhunë, ku ishte mbajtur për pak kohë në psikiatri dhe ishte rikthyer në banesë ku jetonte vetëm me të ëmën.

Nga SYRI TV

Një ngjarje e raportuar të ketë ardhur si vdekje natyrale në Vilbashtovë të Kavajës, me bërjen e ekspertizës mjeko-ligjore u zbulua se shkak për humbjen e jetës së një 75-vjeçareje u bë dhuna nga i biri.

Ky i fundit për të cilin Syri Televizion mëson se quhet Shkëlqim Sokoli vuan nga probleme të shëndetit mendor, teksa edhe më  parë e ndjera Ike Sokoli e kishte raportuar dhunën dhe problemet me të birin.

Policia e raportoi të shtunën ngjarjen si vdekje e dyshuar natyrale, pasi nuk konstatoi shenja dhune.

Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja Ike Sokoli kishte disa orë që kishte humbur jetën. Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, s kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës.

Ekspertiza e thelluar doli në konkluzionin se 75 vjeçares i janë gjetur brinjë të thyera dhe hematomë në mushkëri që dyshohet ti kenë sjellë vdekjen.

Policia e Kavajës prangosi të riun, teksa pritet t’i nënshtrohet kontrolleve përkatëse për gjendjen e tij mendore.

Nga ana tjetër, jashtë kamerave të njohurit shprehen se kjo ishte ngjarje e paralajmëruar pasi edhe më herët Shkëlqim Sokoli kishte ushtruar dhunë ndaj të moshuarës, e kjo e fundit e kishte denoncuar por nuk ishte marrë asnjë masë për rehabilitimin e tij. Sokoli ishte shoqëruar disa herë në spitalin psikiatrik por që ishte rikthyer sërish në banesë ku jetonte vetëm me të ëmën.