Finlandezët votojnë këtë të dielë për të zgjedhur presidentin e ri

Finlandezët po votojnë sot për të zgjedhur presidentin e tyre të ri, një post me rëndësi të madhe  për shkak të tensioneve me Rusinë fqinje që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Rreth 4.3 milionë do të votojnë për të zgjedhur konservatorin Alexander Stubb, i cili fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale me 27.2% të votave dhe Peka Haavisto, një anëtar i të Gjelbërve që kandidon si i pavarur (25 .8%).

Sipas një sondazhi, Stubb kryeson me 54% të votave dhe Haavisto me 46%.

Me kompetenca më të kufizuara se kryeministri, presidenti, i cili zgjidhet për një mandat gjashtëvjeçar, udhëheq politikën e jashtme në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe është komandanti suprem i forcave të armatosura.

Një rol, rëndësia e të cilit është rritur pas zhvillimeve gjeopolitike në Europë dhe anëtarësimit në NATO të Finlandës, e cila ndan një kufi 1340 km me Rusinë.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Finlanda i dha fund tre dekadave të neutralitetit ushtarak dhe iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, për zemërimin e Rusisë, e cila është zotuar të përgjigjet me “kundërmasa”.

Në gusht, Finlanda përjetoi një fluks emigrantësh pa viza në kufirin e saj lindor. Helsinki më pas akuzoi Moskën për orkestrimin e një krize emigrantësh në pragun e saj dhe mbylli kufirin me Rusinë në nëntor.

Qendrat e votimit hapen në orën 09.00 dhe mbyllen në orën 20.00.