Xhaferri: Asambleja e PS, a do ketë videomesazh nga Mcgonigal dhe Arben Ahmetaj?

Nga Besart Xhaferri/

Sot zhvillon punimet Asambleja e Partisë Socialiste, forcës politike që dekadën e fundi i kanë rënë në burg brenda dhe jashtë vendit më shumë eksponentë se çdo grupi kriminal në Ballkan.

Në atë asamble do flitet për satelitët “Albania1” dhe “Albania “2, por jo për ambulancat që në 2024 shkojnë në Spitalin e Traumës duke u tërhequr me kavo nga makinat e rastit.

Aty nuk do flitet as për inceneratorët dhe as për PPP-të që kanë kryer gjenocid në taksat tona e që ndonëse janë nën hetim dhe janë faktuar si afera korruptive, sërish nuk sekuestrohen. 

Çdo emigrant i kthyer në atdhe përgjatë 2023 do numërohet në asamble si turist, por askush nuk do flasë për 1 milionët shqiptarët që Rilindja largoi dhunshëm nga krimi.

Në asamble do shohim video të blogerëve që kanë vizituar Shqipërinë, por jo video dramatike të shqiptarëve që kalojnë La Manshin me gomone drejt Anglisë në mes të acarit dhe furtunës.

Në asamble nuk dimë se cili do jetë Arben Ahmetaj i radhës që do të shkojë në të s’ëmës, pasi lista e Kurbanëve të gatshëm për t'i zgjatur pushtetin liderit është e gjatë.

Nuk e dimë nëse sot punimet e Asamblesë do t'i përshëndesë nga qelia me një videomesazh edhe Charles Mcgonigal, i cili me siguri do ftojë Edi Ramën që të bëhet burrë e të përballet me drejtësinë e vendit të tij, siç bëri ai.

Për një gjë jam i bindur, kjo asamble nuk ka prioritet shqiptarët por vetëm zuzarët.