Egnatia 'ngec' përballë Laçit, vendasit shpërdoruan edhe një penallti

Laçi arriti që të marrë një pikë ndaj kryesuesve të kampionatit duke barazuar 0-0 në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Të besuarit e Edlir Tetovës regjistruan barazimin e dytë radhazi, ndërkohë që kurbinasit konfirmojnë ecurinë pozitive, teksa kjo ishte ndeshja e nëntë radhazi pa humbje mes kampionatit dhe Kupës.

Pjesa e parë ishte më e mirë për bardhezinjtë, që ngacmuan më tepër në gjysmëfushën kundërshtare. Në të 28-ën, Laçi ishte i pafat, teksa Qato goditi bukur nga distance, por topi u ndal në shtyllë.

Në pjesën e dytë Egnatia nisi të reagojë dhe pas një ore lojë iu afrua golit me Ndrecën, i cili provoi me një goditje dënimi, por u ndal nga Dajsinani. Vetëm 2 minuta më vonë, sërish gardiani i Laçit u bë heroi i kurbinasve. Vendasit fituan një 11-metërsh që u mor përsipër nga Spahiu, por portieri i Laçit kuptoi krahun dhe shmangu golin.

Egnatia mbetet e para dhe pas javës së 23-të, tani me 48 pikë, ndërkohë që Laçi shkon në kuotën e 28 pikëve dhe konfirmohet si skuadra e momentit në Superiore.