SYRI TV/ Fermerët dhe blegtorët, protestë në Devoll: Kemi mungesë subvencionesh, kosto të larta

Ulja e çmimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale nga grumbulluesit ka vënë në vështirësi fermerët të cilët këtë të shtunë janë mbledhur në protestë në hyrje të Bilishtit. Shqetësim për ta mbetet çmimi i ulët i shitjes së produkteve, teksa kostot i kanë të larta dhe u mungojnë subvencionet. Ata i drejtuan 6 kërkesa qeverisë, teksa paralajmëruan përshkallëzim protestash në rast se nuk merren masa.

 

SYRI TV

Fermerët dhe blegtorët e zonës së Devollit kanë protestuar këtë të shtunë për uljen e çmimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale nga grumbulluesit. Ata janë mbledhur në hyrje të qytetit të Bilishtit ku kanë sjellë edhe mjetet e tyre bujqësore.

Shqetësim për blegtorët mbetet çmimi i ulët me të cilin baxhot u blejnë qumështin. Krahasuar me vitin e kaluar çmimi është ulur me 30%, duke i vënë blegtorët në vështirësi. Mungesa e subvencioneve dhe kostot e larta për të mbajtur fermat blegtorale po i detyron ata të ulin numrin e bagëtive. Konkurrenca nga produktet e importit po çon blegtorët drejt braktisjes së fermave.

Me të njëjtën problematikë po përballen edhe fermerët, të cilëve pjesa më e madhe e grurit të prodhuar u ka mbetur stok.

Fermerët i kanë drejtuar 6 kërkesa qeverisë, të cilat lidhen me barazimin e Tvsh-së për produktet bujqësore, rimbursim për çdo litër qumështi si dhe heqjen e taksës së naftës për mjetet bujqësore.

Fermerët kanë paralajmëruar përshkallëzim dhe shtrirje më të gjerë të protestave, nëse kërkesat e tyre nuk do të konsiderohen nga strukturat shtetërore.