Mbjellja e tokave sfidë për fermerët në Kukës

Moti i ngrohtë në Kukës ka ndihmuar fermerët për punët në bujqësi e blegtori. Por fermerët e fshatit Morinë hasen me vështirësi të shumta. Mungesa e kanaleve vaditëse ka çuar në braktisjen e tokave bujqësore. Në tkurrje është edhe blegtoria pasi rritja e kullotave ka kosto të larta. Pjesa më e madhe e familjeve të Morinës janë shpërngulur për shkak të këtyre vështirësive.

SYRI TV

Në Kukës prej ditësh po mbizotëron një mot i ngrohtë gjatë ditës ndërkohë që fermerët po e shfrytëzojnë për punët në bujqësi e blegtori. Besnik Kamberi 58 vjeç nga fshati Morinë, është një prej tyre që e takuam teksa po përgatiste tokën e tij për mbjelljet pranverore. Për Besnikun sfidë mbetet mbjellja e tokës, për shkak të mungesës së kanaleve vaditëse. Kjo ka sjellë dhe braktisjen e tokave bujqësore, ndikuar edhe nga emigrimi masiv i banorëve.

Edhe blegtori Mariol Duraku 28 vjeç që ka rreth 130 dele thotë se temperaturat e ngrohta janë favorizuese për kullotjen e deleve, por rritja e tyre është e vështirë pasi ka shumë shpenzime. Kjo sipas tij ka sjellë edhe tkurrjen e blegtorisë.

Në Morinë kanë mbetur rreth 200 familje, ndërsa pjesa dërrmuese janë shpërngulur. Banorët që jetojnë aktualisht thonë se perspektiva për të jetuar në fshat mbetet e vakët.