'PSG' nuk dorëzohet, gati paga 'faraonike' për yllin francez

Kylian Mbappe duket më pranë se kurrë “martesës” me Real Madrid. Megjithatë, përsa kohë nuk ka një “divorc” zyrtar, Paris Saint-Germain nuk dorëzohet dhe tenton të “joshë” 25-vjeçarin. Sulmuesi ka në dorë kontratën e re që i ofrojnë parisienët teksa ajo është me një kohëzgjatje dyvjeçare. Në tavolinë janë 80 milionë euro për sezon, ose 160 milionë për dy vite kontratë.

Një shumë e çmendur që e shndërron Mbappe në “Mbretin” e Parisit. Gjithsesi, dëshira e lojtarit është për momentin transferimi te Real Madrid. Aktualisht, sulmuesi është në pritje të ofertës nga “Los Blancos” ndërsa pretendon të fitojë më shumë se Bellingham dhe Vinicius Junior, si për të vërtetuar se ai do të jetë ylli kryesor në “galaktikën” madrilene.

Në rast të kundërt me Realin që do t’i ofronte më pak para, atëherë Mbappe do ta merrte seriozisht ofertën e PSG. Kështu, në fund të gjithçkaje pavarësisht dëshirës dhe ëndrrës për të luajtur me Realin, paratë janë ato që do të bëjnë diferencën në telenovelën Mbappe.