Deklarata e çuditshme e presidentit të Napolit: Gara në Serie A po deformohet nga ekipet e qyteteve me 20 mijë banorë

Aurelio De Laurentiis ka lëshuar akuza të forta për disa nga rivalët e Napolit në Serie A.

Presidenti i kampionëve në fuqi të Italisë, thekson se nuk është zgjidhje kalimi nga 20 në 18 skuadra në elitën e futbollit italian.

“Nuk zgjidhen problemet e Serie A me reduktimin në 18 skuadra. Ka një kampionat në anën e majtë të tabelës dhe një tjetër në krahun e djathtë. Skuadrat që përfaqësojnë qytete me nga 20 mijë banorë, deformojnë kampionatin”, shprehet De Laurentiis.

Ai ka ankesa edhe në lidhje me futbollistët ekstrakomunitarë dhe kërkon që të aplikohen kontratat 7 apo 8-vjeçare siç po veprohet në Angli nga klube si Chelsea.

Presidenti i Napolit kërkon gjithashtu që klubet të kenë më shumë fuqi në vendimmarrje rinovimesh apo shitjesh krahasuar me menaxherët e futbollistëve.