SYRI TV/ Banorët e Postribës: Bashkia na servir helmin për ujë, më 20 shkurt të dalim në protestë në Tiranë

Banorët e Postribës zhvilluan protestën e radhës para Bashkisë së Shkodrës, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm nga një gurore. Ata pritën Benet Becin me pankarta ku shkruhej “Bashkia po na servir helm”, ndërsa kryebashkiaku tha se po punohet për një projekt. Mirëpo ambientalisti Sazan Guri dhe vetë banorët, paralajmëruan vetëgjyqësi, nëse nuk do të zgjidhet ky problem

SYRI TV

“A jetohet me zhurmën e matrapikut”, apo “Bashkia na servir helm”, ishin disa nga parullat që mbanin në duar banorët e Postribës, të cilët për të disatën herë protestuan para bashkisë për shkak të ndotjes së ujit.

Banorët pretendojnë se uji është i ndotur për shkak të veprimtarisë së një guroreje, e cila ka dëmtuar burimin që furnizon fshatin me ujë.

Protesta e kësaj të premteje u zhvillua para bashkisë, ku banorët patën dhe një takim të shkurtër me kryebashkiakun, i cili u shpreh se për ujësjellësin po bëhet një projekt.

I pranishëm në takim me kryebashkiakun Benet Beci ishte dhe ambientalisti Sazan Guri, i cili paralajmëroi se këtë çështje do e çojë deri në Strasburg.

Megjithatë, banorët duken skeptikë ndaj premtimeve të Benet Becit, teksa kanë bërë thirrje që në datën 20 shkurt qytetarët të dalin në protestën e opozitës në Tiranë kundër qeverisë, që sipas tyre, është e korruptuar.