Kush është Oleksandr Syrsky? Zelensky emëron komandantin e ri të forcave të Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka emëruar gjeneralkolonelin Oleksandr Syrsky si komandant të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës pas shkarkimit të gjeneralit Valerii Zaluzhny.

Zelensky e largoi Zaluzhny-n nga detyra e tij të enjten pas muajsh spekulimesh për një ndryshim të mundshëm në udhëheqjen ushtarake të Kievit. Presidenti ukrainas tha se Syrsky, i cili kishte shërbyer si komandant i forcave tokësore të Ukrainës, do të drejtonte ushtrinë në një kohë "rinovimi".

Gjatë një fjalimi televiziv të enjten në mbrëmje, Zelensky e quajti Syrsky-n "komandantin më me përvojë të Ukrainës". Ai këmbënguli se ndryshimi nuk ishte "për politikë" dhe tha se Syrsky do të drejtonte "një ekip të ri drejtues" të mbledhur pas "dhjetëra bisedave me komandantët në nivele të ndryshme".

"Kjo nuk ka të bëjë me mbiemrat, dhe sigurisht jo me politikën,"tha Zelensky. "Kjo ka të bëjë me sistemin tonë të ushtrisë, me menaxhimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe me përfshirjen e përvojës së komandantëve të regjur nga kjo luftë.

Syrsky, 58 vjeç, ka lindur në rajonin Vladimir të Rusisë Sovjetike, por ka jetuar në Ukrainë që nga vitet 1980, sipas Reuters. Ai është njohur me nofkën "leopardi i borës" që nga udhëheqja e trupave ukrainase në betejë gjatë kryengritjes pro-ruse të vitit 2014 në Donetsk në Luhansk.

Kohët e fundit, Syrsky shërbeu si komandant gjatë mbrojtjes së suksesshme të Kievit menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Komandanti i ri i përgjithshëm ishte gjithashtu në krye të kundërofensivës të suksesshme që filloi më vonë atë vit.

Për më tepër, Syrsky udhëhoqi mbrojtjen ukrainase të Bakhmutit, i cili përfundimisht u mor nga Rusia në maj të vitit 2023, pas një periudhe të zgjatur luftimesh intensive që shkatërruan pjesën më të madhe të qytetit.

Syrsky tha në një postim në dhjetor në Telegram se Moska kishte arritur "superioritetin" ushtarak, pjesërisht për shkak të gatishmërisë së Rusisë për të sakrifikuar një numër të madh trupash në një luftë nervash.

"Ne duhet të luftojmë në kushte epërsie të armikut si në armë ashtu edhe në numrin e personelit", tha Syrsky në atë kohë. "Armiku pëson humbje të rënda, të cilat i plotëson me rezervat e batalioneve sulmuese të formuara nga ish-të burgosurit".

"Pavarësisht humbjeve të përditshme në personel dhe pajisje, pushtuesit rusë vazhdojnë të kryejnë aksione sulmuese", shtoi ai. "Vlera më e madhe për ne është jeta e ushtarëve tanë".

Zelensky tregoi në një deklaratë të shpërndarë për X, ish-Twitter, se ai i kishte kërkuar Zaluzhny-n "të mbetej pjesë e ekipit", megjithëse roli i tij i ri i mundshëm ishte i paqartë.

"Unë u takova me gjeneralin Valerii Zaluzhny," tha Zelensky. "E falënderova për dy vitet e mbrojtjes së Ukrainës. Diskutuam për rinovimin që kërkojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës. Diskutuam gjithashtu se kush mund të jetë pjesë e udhëheqjes së përtërirë të Forcave të Armatosura të Ukrainës."

"Koha për një rinovim të tillë është tani," shtoi ai. "I propozova gjeneralit Zaluzhny të mbetet pjesë e ekipit. Ne do të fitojmë patjetër! Lavdi Ukrainës!"