Qeveria ka shpenzuar miliarda euro për infrastrukturë publike, por sërish jemi vendi më defiçent në Rajon, shkak korrupsioni i lartë

Megjithëse janë miliarda euro të shpenzuara për zërin investime publike, Qeveria programon të financojë nëpërmjet këtij zëri si infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore, përsëri Shqipwria është vendi me defiçitin më të lartë në Rajon sa i përket infrastrukturës.

Të dhënat e organizmave ndërkombëtare të monitorimit e venë theksin të shpërdorimi dhe korrupsioni i lartë në projektet miliardëshe.

Megjithëkëtë, sipas Ministrisë së Financave planifikohen rreth 5 miliardë euro gjatë katër viteve në vijim 2024-2027 për këto zëra.

Zëri i investimeve publike pritet të qëndrojë në rreth 4.8% të PBB-së edhe në vitet në vijim duke zënë mbi 16 për qind të totalit të shpenzimeve buxhetore.

Në të gjitha të dhënat faktike tregohet se miliardat e shpenzuara në investime janë në realizimin më të ulët ndër vite, të dhëna të konfirmuara edhe nga vetë Ministria e Financave.

Nga 2014 deri në 2023 janë shpenzuar në ketë zë nga buxheti 795 miliardë lekë ose 7.5 miliardë euro, por realizimi dhe efiçenca e këtyre parave të shpenzuara është shumë e ulët.

Qeveria shqiptare nuk ka realizuar ende inventarin e aseteve kombëtare për të llogaritur se sa investimet e kryera faktike i përgjigjen miliardave të shpenzuara dhe të ketë një bilanc të saktë se si kanë ndikuar këto investime.

Inventarizim që duket se nuk bëhet për të mbuluar korrupsionin e lartë.

Nga viti 2018 deri në 2023 qeveria shqiptare paguan miliona euro për skemën me të madhe korruptive që ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend, siç janë inceneratorët. Skemë e financuar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.

Me gjithë këtë mega aferë korruptive, e cila është shoqëruar me disa arrestime të drejtuesve si ish-ministra dhe drejtorë në ministri e bashki të Tiranës, SPAK ende nuk ka një hetim të thelluar për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve tëpër elementare:

Kush e ideoi skemën e inceneratorëve?

Ku shkuan paratë?

Kush ishin përfituesit fundorë të kësaj fare?

Të njëjtat përgjigje mungojnë për të gjitha skemat korruptive të PPP-ve nga ana e SPAK.

FMN është shprehur se megjithëse SPAK ka vënë nën hetim një profil të lartë zyrtarësh që përfshijnë disa nga skemat e PPP-ve, përsëri korrupsioni është shkaku kryesor i fryrjes së kostove në programin e investimeve publike.

Gjithashtu FMN surgjeron se Shqipëria mund të integrohet në zinxhirët globalë të vlerës vetëm duke përmirësuar infrastrukturën, tregun e punës, rregullat për tregun e lirë dhe investitorët dhe duke investuar në kapitalin njerëzor. Gjë e cila nuk ndodh prej vitesh.