Mediat në Serbi e censuruan fjalimin e Albin Kurtit, ndalën transmetimin direkt

Prishtinë - Në mediat serbe, mbledhja e Këshillit të Sigurimit për tensionet Serbi-Kosovë për dinarin, nuk ka vazhduar transmetimi drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS) transmetimi është ndërprerë sapo fjalën e ka kryeministri Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe. 

Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu, ka reaguar, duke thënë se Aleksandër Vuçiç është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë, njofton RTK.

“Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, ka shkruar ai.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten u diskutua për Kosovën me kërkesën e Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Diskutimi është transmetuar drejtpërdrejt, ndërkohë që Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri Albin Kurti dhe Serbinë presidenti i saj.

Kryeministri Kurti e ka kualifikuar gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nëpërmjet vendimit të fundit të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa, Kosova është duke kryer spastrim të serbëve.

Në fjalimin e mbajtur para KS të OKB-së Kurti ka theksuar se pretendimet përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve.