'U futëm në panik', Mehmeti: Meritë e ekipit, Dinamo vinte nga një situatë e vështirë

Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, theksoi se ishte i kënaqur me pikët e skuadrës edhe pse loja e të tijve la shumë për të dëshiruar.

“Për të qenë të sinqertë, dua të falënderoj çunat se ishe meritë e tyre, besuan deri në fund, sakrifikuan. Vinim nga një situatë e vështirë pas dy humbjeve, sidomos atë ndeshjen me Tiranën që ka lënë një njollë në aspektin psikologjik dhe shpresoja që sot ta bënim dhe çunat u përgjigjën mirë, edhe pse ramë poshtë në pjesën e dytë. Kukësi kërkonte thellësi dhe nuk arritëm të zotëronim topin, më vjen keq sidomos te i dyti te goditja standarte se i pari ishte eurogol. U futëm në panik dhe mund të humbnim ndeshjen, presioni i pozicionit në tabelë dhe nevoja për pikët i bën lojtarët nervoz që të mos dalin te loja e tyre.

Presidenti u largua nga stadiumi? Me presidentin akoma nuk kam komunikuar, ai e ndjen shumë ndeshjen dhe ka në të tilla situata. Mendoj se ashtu e ka ndjerë se nuk është hera e parë që i është kthyer Dinamos, është tre herë. Të ndodhte edhe sot, do të ishte shumë e vështirë.

Falënderim për Tafas? Unë do të falënderoj lojtarët e mi, ti (i drejtohet Gerti Çarçanit që e pyeti) Tafasin, se kjo është lojë gabimesh. Se si mund të gabojnë lojtarët në vendosje, mund të gabojë edhe portieri kundërshtar. Ky është këndvështrimi ynë. Megjithatë kishte situata të mira skuadra, nuk mund ta hedhim poshtë djersën e lojtarëve. Ky është futbolli, në fund të fundit duhet edhe fati, si ta kërkosh që të shkosh te pikët.

Loran është tipik mbrojtës i majtë dhe unë e kam impostuar në qendër për nevojat e skuadrës. Salami është lojtar me cilësi të mira teknike dhe fizike, mora masat për të mos i dhënë hapësira Salamit se na çekuilibron të gjithë mbrojtjen. Edhe Gudiabi ka qenë më mirë, megjithatë, ai është i ri, edhe ndërhyrjet që i bën, nuk është se i bën në sensin negativ, por ka shumë grintë. E zëvendësova jo se po luante keq, por se mos merrte të verdhin e dytë.

Dihen vlerat e Qefaliajt, ai vjen pas një dëmtimi të gjatë të rikthyer, shpresoj ta kalojë me sukses. Sa i përket merkatos, jemi në ditët e fundit dhe po mundohemi të bëjmë maksimumin.

Duke pasur parasysh që Denison është lojtar krahu dhe unë e përdor si 10, e ka të vështirë të bëjë lidhjen e linjave. Zotërimin e kërkojmë mes linjave me krahët, Zabërgja e Vila duhet ta kërkojnë më shumë me linjat e qendrës. Kemi vështirësi me linjat e mesfushës, kemi pak vështirësi në zotërimin e topit.

Duhet të shkonim me shumë besim e forcë përpara, në bllok si skuadër. Skuadra ndikohet psikologjikisht, bie shumë poshtë, te zotërimi i topit duhet të kemi më shumë besim, por e hasim vështirësinë edhe për meritë të kundërshtarit.

Deri në mometin që do jem, kam besimin maksimal te kjo skuadër. Sa i përket aspektit fizik, ndoshta kjo ndikon psikologjikisht se bie skuadra poshtë, se nuk zotërojmë topin. Por nuk është fizike, se mendoj se fizikisht skuadra është goxha mirë.

“Final 4”? Të the të drejtën, ky është kampionat i çuditshëm, por duhet të rrimë me këmbë në tokë e shohim javë pas jave. Për presidentin nuk e di, por unë mendoj që të shikojmë ndeshjen e radhës, respektojmë veten e kundërshtarin dhe mos mendojmë kaq gjatë. Besimi vjen me rezultate, se i kemi pasur mundësitë. Sepse gjithë ajo ngarkesë psikologjike që ndodhi me Tiranën se do flisnim ndryshe sot… Te futbollistët ka lënë shenjë ndeshja me Tiranën që nuk e menaxhuam siç duhet të gjithë bashkë. Kjo ka ndikuar. Kemi besimin, por do ta marrim si ndeshje të radhës atë me Erzenin dhe pastaj mund të besojmë shumë më tepër, nëse fitojmë edhe me Erzenin”, tha Mehmeti për “MCN” pas ndeshjes.