Fitore dramatike ndaj Kukësit, Dinamon e shpëton goli i kapitenit në minutën e 96-të,

Dinamo merr një fitore shumë të rëndësishme ndaj Kukësit, duke larguar presionin e rënies nga kategoria. 18 herë kampionët e Shqipërisë triumfuan 3-2 në “Niko Dovana”, ku u luajt një ndeshje emocionuese, me tre nga pesë golat të shënuar në fundin e takimit.

Skuadra e drejtuar nga Dritan Mehmeti e befasoi Kukësin me dy gola të shpejtë brenda dy minutash në lojë në fillimin e pjesës së parë, duke dhënë përshtypjen se do të merrte një fitore të thjeshtë.

E zhbllokoi takimin Lorenco Vila në të 12-tën dhe sapo topi rinisi nga qendra vjen dhe goli i ditë i dinamovitëve me Denisson Silvan.

Për minuta të tëra, rezultati mbeti I pandryshuar dhe pak nga pak Kukësi e mori veten dhe nisi ta rrezikonte portën e Dinamos.

Befasia ndodhi pak para fundit të kohës së rregullt, kur në dy episode me goditje standarde, verilindorët barazuan rezultatin me Rivas dhe Jongo.

Drithërima në minutat e fundit, me Kukësin që tentoi golin e përmbysjes së madhe, por topin në rrjetë e dërgoi Dinamo, që shfrytëzoi një gabim në dalje të portierit Tafas. Një tjetër humbje për Kukësin, që e sheh gjithnjë e më të vështirë misionin mbijetesë.