Andri Shevçenko flet si president: Kombëtarja e madhe e Ukrainës dhe futbolli në tërësi objektivat e tij

 

“Kam marrë përgjegjësinë për ta bërë këtë detyrë në një situatë kaq të vështirë”. Kështu është shprehur Andri Shevçenko në një intervistë për “La Repubblica”, teksa ka folur për zgjedhjen e tij si president i Federatës së Futbollit të Ukrainës.

Nuk do të bëjë më trajnerin, teksa kujton “nga fillimi i luftës në shkurt 2022 kam qenë shumë herë në Ukrainë dhe më është kërkuar edhe më shumë llogari për futbollin, por jo vetëm. Edhe për sportin në përgjithësi, sepse ka një influencë shumë të madhe në jetën e njerëzve.

Mund të japi qetësi dhe argëtim, është një rekuperim post-traumatik, ndërsa lufta është traumë shumë e madhe. Çdokush duhet ta nxisë sfidën e tij. Sfidën time e kam shpjeguar në nëntë pika, me një transparencë të madhe në bilancin ekonomik. Po them tre pikat kryesore. Zhvillimin e futbollit në Ukrainë. Kampionatat po luhen prej dy sezonesh, edhe pse njerëzit, nën tingëllimin e sirenave, turren në vendstrehimet duke u fshehur në bunker.

Digjitalizimi: Për të kuptuar sa të rinj kanë dalë nga Ukraina për t’i shpëtuar luftës dhe për të mos i humbur talentet duhet një monitorim si në Kroaci në vitet 90. Na ndihmon inovacioni digjital, sepse mund të shohësh se ku janë lojtarët dhe si të organizohen më mirë turnetë. Më pas është përgatitja e Kombëtares për Play-off për Europianin, më pas kombëtarja e femrave është duke u rritur, apo dhe ajo e futbollit të sallës, e cila do të marrë pjesë në Botëror. Por edhe përfaqësuesja olimpike e kualifikuar për herë të parë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

“Krijimi i skuadrës cilësore – shpjegon Shevçenko – është tashmë një fitore. Vendosja nëse do të shkohet në Paris apo jo nuk na takon ne, por qeverisë dhe Komitetit Olimpik. Ne duhet të gjejmë mënyrën që skuadrat të jenë gati. Nuk është e thjeshtë, lojtarët mund të mos dalin nga vendi, çdo herë duhet të marrin leje dhe klubet duhet t’i lënë të vijnë në kombëtare”.

Për luftën më tej tregon: “Shkalla e vlerave nuk është e njëjtë për mua. Disa gjëra që dukeshin të rëndësishme tanimë janë më pak të tilla, sidomos tani që shoh çdo ditë njerëz që u rrezikohet jeta. Në krye vë familjen time dhe të ardhmen e Ukrainës”.