Klopp lajmëroi largimin nga Liverpool, gjigantët e Europës vihen në lëvizje

 

Jurgen Klopp është shfaqur si një kandidat për t’u bërë trajner i Barcelona, sipas mediave spanjolle. Klopp tronditi botën e futbollit duke njoftuar se do të largohej nga Liverpool në fund të sezonit.

Gjermani mori drejtimin e ekipit anglez në tetor 2015, por ai tani ka vendosur të marrë pak kohë pushim. Kjo lëvizje befasuese i ka hapur dyert Barcelonas për të bërë një tentativë për 56-vjeçarin.

Sipas gazetës spanjolle Sport, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta është një admirues i madh i Klopp. Dhe duke pasur parasysh vështirësitë e klubit me trajnerin aktual Xavi Hernandez, Blaugranat mund të nxitojnë të bëjnë një ndryshim të bujshëm në fund të sezonit.

Laporta, 61 vjeç, thuhet se është një admirues i madh i trajnerëve gjermanë në përgjithësi, duke pasur parasysh suksesin e tyre, aftësinë për të kontrolluar dhomat e zhveshjes dhe për të nisur projekte.

Klopp ka dëshmuar aftësinë e tij për të nisur një projekt me Liverpool-in, duke i rikthyer Të Kuqtë në majën e futbollit anglez dhe atë europian.

Në të vërtetë, Laporta thuhet se e ka konsideruar Kloppin “ëndrrën” e tij për Barcelonan. Megjithatë, asnjë lëvizje nuk është bërë nga kampionët në fuqi të La Ligas për ta bërë këtë realitet.

Vetë Klopp dukej se sugjeroi se do të merrte një pushim nga futbolli pasi të përfundonte aventura e tij me Liverpool-in.