Laporta zgjedh emrin surprizë, pasardhësi i Xavi-t vjen nga Seria A

 

Një lajm i bujshëm vjen nga Spanja në lidhje me të ardhmen e Xavit te Barcelona. Pas fitores së sezonit të kaluar në La Liga, gjërat nuk po shkojnë siç duhet në sezonin aktual.

Blaugranët u eliminuan nga Copa del Rey (të mposhtur 4 me 2 kundër Athletic Bilbao) dhe humbën Superkupën e Spanjës ndaj Real Madrid në finale (4 me 1).

Në kampionat skuadra katalanase është tetë pikë prapa kryesuesit dhe as në Champions League nuk konsiderohet për momentin si një nga favoritët për fitoren përfundimtare.

I vetmi aspekt pozitiv është aftësia për të hedhur në fushë disa talente të La Masia si Lamine Yamal dhe Cubarsì, të dy të lindur në 2007. Megjithatë, në “Cadena Ser” kanë bërë një listë me emra për stolin e katalanasve.

Duke folur për këtë situatë të veçantë në Barcelonë ishte Manu Carreno, drejtor i “El Larguero” i cili shpjegoi për “Cadena Ser”:

“Nëse në fund do të ndodhte ndonjë kataklizëm dhe ai largohet para fundit të sezonit, gjë që duket e vështirë për momentin, Rafa Márquez është gati për t’u bërë trajneri i përkohshëm.

“Nëse Xavi e përfundon sezonin, duket se një nga njerëzit e preferuar të Joan Laporta-s, edhe para Rafa Marquez-it, është Thiago Motta”.

Duket se trajneri i Bolognas ka përfunduar në shënjestrën e presidentit Laporta.