Manipulime etnike: Qytetarët malazezët dhe opozita kërkojnë të shtyhet regjistrimi i popullsisë

Një protestë u zhvillua në Podgoricë të Malit të Zi të hënën, duke kërkuar shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë të planifikuar në datat nga 1 deri në 15 nëntor. Svetlana Pajoviç Musiç, organizatorja, paralajmëroi se qytetarët do të nxiteshin të bojkotonin nëse qeveria nuk hiqte dorë nga regjistrimi.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se "mesazhe të ngjashme janë përcjellë nga anëtarët e Parlamentit Evropian", njofton Euronews.

Sipas Nikola Zirojeviç nga Partia Socialdemokrate, është e qartë se procesi i regjistrimit po tenton të bëjë manipulime etnike.

“Situata aktuale tregon se regjistrimi planifikohet të bëhet pa marrëveshje me opozitën. Gjithçka që kishin në vitin 2011, opozita nuk e posedon më”, tha Zirojeviç.

Jelena Markoviç, nënkryetare e Partisë Liberale, theksoi se fraksioni i saj politik nuk do të lejojë regjistrimin e popullsisë malazeze si "shërbyes të Aleksandër Vuçiçit".

“Ne nuk do të lejojmë që shërbyesit e tij të na numërojnë, sepse ky regjistrim synohej të përsëritej si në vitin 1918 kur Mali i Zi u asimilua kulturalisht,” tha Markoviç.

Partitë opozitare dhe disa organizata të shoqërisë civile në Mal të Zi e shohin procesin e përgatitjes së regjistrimit të popullsisë si në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe abuzim të të drejtave themelore të njeriut.

Të gjitha partitë opozitare dhe partitë e pakicave kanë kërkuar shtyrjen ose bojkotimin e procesit të regjistrimit.

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Malin e Zi të mërkurën, në të cilën thuhej se "tensionet e larta politike dhe polarizimi kanë rezultuar në një vonesë në procesin e pranimit të vendit në Bashkimin Evropian".

Rezoluta mori mbështetje nga 529 deputetë, ndërsa 51 e kundërshtuan dhe 53 abstenuan.

Anëtarët e Parlamentit Evropian, përfshirë raportuesin Tonino Picula dhe deputetin socialist Pedro Marques, paraqitën ndryshime në raport, duke kërkuar shtyrjen e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë. Ata argumentuan se procesi duhet t'u përmbahet standardeve të BE-së dhe të vazhdojë vetëm pasi të zgjidhet ngërçi politik në vend./ar.sh/SYRI.NET