Uroj që Azerbajxhani dhe Armenia ...: Berisha, krah ish-presidentësh, diskuton mbi zhvillimet në Kaukaz

Kryetari i opozitës shqiptare, z. Sali Berisha, është ftuar në një bashkëbisedim liderësh ndërkombëtarë, ish-presidentë dhe ish-kryeministra shtetesh, për të diskutuar mbi një nga zhvillimet e fundit në botë, konfliktin dhe zgjidhjen që e pasoi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Vetë z. Berisha ka treguar për këtë takim dhe qendrimin që ai mbajti ndaj kësaj çështjeje në një shënim në Fb. 

"Dje pata kënaqësinë të isha pjesë e një bashkëbisedimi të organizuar nga asistenti i presidentit të Azerbajxhanit z. Hikmet Hajiyev, - shkroi Berisha në Fb. - Bashkë me pjesëmarrësit e tjerë si, Vaira Vike-Freiberga, Presidente e Letonisë, 1999-2007 - Ismail Serageldin, zv/President i Bankës Botërore 1992-2000 - Jean Badershneider, zv/President i ExxonMobil 2000-2013 - Susan Elliott, Presidente e National Committee on American Foreign Policy - Mladen Ivanic, President i Bosnjës dhe Herzegovinës 2014-2018 -  Ivo Josipovic, President i Kroacisë 2015-2020 - Yves Leterme, Kryeministër i Belgjikës 2008, 2009-2011 -  Tzipi Livni, zv/Kryeministër i Izraelit 2006-2009 - Joseph Muscat, Kryeministër i Maltës 2013-2020 - Borut Pahor, President i Slovenisë 2012-2022 - Ana Palacio, Ministre e Jashtme e Spanjës 2002-2004 - George Papandreou, Kryeministër i Greqisë 2009-2011 - Petar Stoyanov, President i Bullgarisë 1997-2002 - Viktor Yushchenko, President i Ukrainës 2005-2010 dhe Valdis Zatlers, President i Letonisë 2007-2011, etj., u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Kaukazin jugor, marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Në fjalën time përgëzova presidentin Aliyev për mënyrën se si ai zgjidhi problemin, rivendosi integritetin teritorial të vendit të tij duke respektuar ligjet ndërkombëtare në një nga situatat vërtetë të komplikuara.

Po ashtu u shpreha se zgjidhja e çështjes është kontributi real, jo vetëm për stabilitetin dhe prosperitetin e Azerbajxhanit, por për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Gjithashtu, në fjalën time tregova që e konsideroj këtë një arritje strategjike shumë të rëndësishme, sepse me këtë zgjidhje është zvogëluar ndikimi rus në Kaukaz.

Po ashtu shpresoj që Armenia dhe kombi i saj do të kuptojë, si një komb i madh që është, se e ardhmja e tyre është me bashkësinë e kombeve të lira dhe jashtë ekspansionizmit rus. Pra, ishte një fitore e dytë për të gjithë rajonin.

Dhe, së treti, preka faktin që askush nuk duhet të harrojë se Azerbajxhani sot është një furnizues shumë i rëndësishëm i gazit në BE dhe ky furnizim tani është më i sigurt se kurrë.

Për të gjithë këta faktorë besoj se rivendosja e autoritetit te Azerbajxhanit në të gjithë territorin e vendit, pra rikthimin e Nagorno Karabakut nën këtë autoritet ishte një zhvillim me rëndësi të madhe.

Në fjalën time urova së fundi që Azerbajxhani dhe Armenia do të ecin drejt një marrëveshje paqe dhe do të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë."