Bardhi i përgjigjet Çollakut: Nëse nuk mblidhet Këshilli Kombëtar, nuk ka zgjedhje

Deputeti i PD-së Gazment Bardhi ka folur pas mbledhjes që ka pasur me deputetë të tjerë në kryesinë e Kuvendit në lidhje me zhvillimet brenda partisë së vulës.

Në deklaratën e tij para mediave, Bardhi i është përgjigjur edhe deputetit Kreshnik Çollakut duke theksuar se nëse nuk mblidhet Këshilli Kombëtar, nuk ka zgjedhje pasi është në kundërshtim me statutin.

‘Nëse një parti politike nuk ka organin më të lart vendimmarrës që drejton partinë mes dy kuvendeve nuk mund të organizojë zgjedhje në parti’, u shpreh Bardhi.

Pak më herët Çollaku u shpreh se Këshilli Kombëtar nuk mund të mblidhet pasi anëtarët nuk vijnë më dhe në këtë mënyrë duhet të anashkalohet për ti hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar të PD-së në 29 korrik. 

Bardhi: Unë nuk di pse është zëvendësuar njëri apo tjetri, nuk kam firmosur asnjë vendim dhe nuk do firmos asnjë vendim që bie ndesh me statutin. Unë nuk do të jap detaje të zbatimit të statutit. Nuk kam dijeni për një propozim të tillë. Organizimi i PD-së është përgjegjësi e sekretarit të përgjithshëm. Mesa duket një grup kanë vendosur të ushtrojnë kompetencat e sekretarit të Përgjithshëm. Unë do të zbatoj statutin e PD-së. Çdokush tjetër që ka vendosur të ecë përpara në procese anti statutore bën zgjedhjet e tij. Pa statut dhe pa rregulla nuk mund të ketë bashkëjetesë.

Unë respektoj çdo detyrim statutor. Do të zbatoj statutin. I vetmi set rregullash që na mban bashkë në PD është statuti i PD-së.

Pyetje: Zoti Bardhi, nga anëtarët e kryesisë thonë se nuk ka anëtarë për tu mbledhur Këshilli Kombëtar.

Bardhi: Nuk e di se çfarë kanë thënë dhe si e ka thënë. PD ka institucione, ka Sekretarin e Përgjithshëm në detyrë, ka kryesinë në detyrë, ka Këshillin Kombëtar në detyrë, ka Kuvendin Kombëtar në detyrë.

Nëse një parti politike nuk ka organin më të lart vendimmarrës që drejton partinë mes dy kuvendeve nuk mund të organizojë zgjedhje në parti.