Skandali me anijet gjenerator të Vlorës, miliona dollarë dhe zero prodhim energjie

Në vitin, 2022 qeveria vendosi shpalljen e një tenderi me procedurë emergjente për marrjen me qera të dy anijeve gjenerator. Kjo me justifikimin që Shqipëria ishte në krizë energjie.

Pavarësisht se në ligjin për prokurimet publike, shpallja e një tenderi emergjent duhet të jetë dhjetë ditë, KESH, si kontraktor, la afat vetëm tre ditor, duke bërë shpalljen me 24 Janar dhe duke mbyllur tenderin me 27 Janar të të njëjtit vit. Një fakt, ky çon në dyshime se dy kompantë fituese ishin paracaktuar dhe këta dy kompani ishin amerikania ‘Exelerate Energy’ dhe italiania ‘Renco’.

Kontrata mes KESH dhe Excelerate Energy u negociua në mars, për t’u firmosur më datën 4 prill 2022.  Sipas emisionit investigativ ‘Piranjat’, një detaj interesant është se kontrata me dy kompanitë në fjalë, është pa afat dorëzimi. Në asnjë faqe të saj, nuk ka një datë e cila i detyron dy kompanitë të nisin prodhimin e energjisë. Madje anijet mbërritën në portin e Vlorës, në muajin shtator 2022, plot tetë muaj pas nënshkrimit mes palëve. Po pse gjithë kjo urgjencë për firmosjen e kontratave për dy anije që po vononin të vinin?

‘Piranjat’ fokusohen tek shifrat që thërrasin skandal, sepse me kushtet e kësaj kontrate që ka lënë në letër të bardhë afatet e shfrytëzimit, dy anijet me emrin ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3’ do t’i kushtojnë 68 milion dollarë Koporatës Elektro-energjitike, edhe nëse nuk vihen asnjëherë në punë. Sot e kësaj dite, pas një viti e tre muaj nga kjo kontratë, ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3’  vazhdojnë të qëndrojnë të pa ndezura në portin e Vlorës. Por, edhe nëse do të nisnin sot prodhimin e energjisë, serish kjo do të sillte humbje të pallogaritshme, pasi aktualisht çmimi i energjisë te prodhuar aty, është më i ulët se çmimi me të cilin shitet në bursë.

Çmimi mesatar për 1 megavat orë energji elektrike në Bursën Hupex është  113euro/Mëh, ndërsa kosto e prodhimit të energjisë nga dy TEC-et e anijeve është 269 euro/Mwh. Pra, 2.4 herë më e lartë. Por, pavarësisht kësaj, qeraja dhe operimi vazhdojnë të paguhen.

Ndarja e kësaj bingoje që u ka rënë dy kompanive, do të jetë e tillë që 45 milion dollarë i takojnë kompanisë amerikane Excelerate Energy për qera në dy vjeçare, që i bie 63 mijë dollarë/ditë për dy vjet dhe 22.5 milionë dollar kompanisë Renco për ofrimin e shërbimit të operimit, me 31.5 mijë dollarë/ditë për dy vjet.

Në fakt, në kontratën fillestare shkruhet komplet e kundërta nga sa deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. ‘Piranjat’ sjellin në vëmendje që kontrata e ngarkonte KESH që të priste një siguracion për të mbuluar vlerën 20 milion euro për pjesët e anijeve, në mënyrë që ato të dorëzoheshin në gjendje të padëmtuar pas përfundimit të periudhës së qiramarrjes. Pavarësisht se në momentin e marrjes në dorëzim nga KESH, nuk ishin në gjendje optimale. Por, edhe nëse pas përdorimit dy vjeçar të anijeve, ato do të bëhen pronë e KESH, pyetja pas këtij operacioni financiar me kosto stratosferike, që do të mbyllet me këtë dhurate bujare, është: A ia vlen të mbahen dy ‘Tigrat’ këtu, qoftë edhe falas?

Sipas emisionit ‘Piranjat’ Excelerate Energy i ka vendosur një vlerë prej 20 milion dollar dy anijeve, dhe i jep me qera për 45 milion dollar. Pra, për ta qartësuar, anijet kushtojnë 20 milionë dollar dhe janë marrë me qera nga KESH plot 45 milion dollar. Dhe e fundit, por jo më e parëndësishmja, është mosvënia në punë, ende sot pas një viti e dy anije ve gjenerator, duke e thelluar edhe më shumë skandalin e kësaj afere, me një dëm total prej 32 milionë dollarë.