SYRI TV/ Mashtrimi miliarda euro me Call Center-a, BBC zbërthen rrjetin, pjesë edhe kompania e Amant Josifit

BBC ka publikuar një artikull investigues për rrjetin global të mashtrimit, Milton Group, që u ka grabitur qytetarëve europianë miliarda euro përmes call center-ave. Në artikull zbulohen kokat kryesore të këtij rrjeti kriminal. Në këtë rrjet mashtrues, rezulton e përfshirë edhe kompania Amant Josifit, ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

SYRI TV

BBC i ka kushtuar një artikull të gjatë mashtrimit të qindramijërave qytetarëve në mbarë Europën, duke u zhvatur miliarda euro përmes disa kompanive Call Center-at, të lokalizuara edhe në Shqipëri.

Kujtomë se më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar.

Sipas BIRN, këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, dhe ish-partner biznesi i vëllait të kryeministrit shqiptar, Olsi Rama.

Artikulli i BBC nis me titullin ‘Në kërkim të biznesmenëve pas një mashtrimi miliarda dollarësh’. Për më shumë se një vit, BBC Eye ka hetuar një rrjet global tregtar mashtrues me qindra marka të ndryshme investimesh që ka mashtruar klientet duke u zhvatuar miliarda euro.

Sipas BBC, operacionet e grupit “Milton” janë hetuar më parë nga gazeta suedeze Dagens Nyheter dhe të tjerë, ndërsa sipas hetimeve të kryera prej tyre, rezulton se emrat që qëndronin pas mashtrimit global ishin David Todua, Rati Tchelidze, Guram Gogeshvili, Joseph Mgeladze dhe Michael Benimini.

Po ashtu BBC thotë se ka rezultuar se katër prej tyre, Tchelidze, Gogeshvili, Mgeladze dhe Benimini, u renditën si drejtorë ose figura të larta brenda një grupi kompanish të lidhura offshore ose kompani filiale që datojnë para grupit “Milton”.

Shumë prej këtyre kompanive lidheshin edhe me një ish-zyrtar të qeverisë gjeorgjiane që shërbeu për dy vjet si ministër i mbrojtjes, David Kezerashvili.