Bakalli: Opozita duhet të gjejë mënyrën të bëhet kreative, Rama është duke u tallur

Përfaqësuesi​ i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” Nador Bakalli ka komentuar fushatën e hapur dje nga PS-ja, duke u shprehur se ishte thjesht një cirk e tallava dhe nuk u prezantua asnjë program sesi të zgjidhen nevojat e njerëzve.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë për ‘Task Force’ me Sonila Meçon, Bakalli është shprehur se ‘opozita duhet të kthejë vëmendjen tek problemet që kanë njerëzit nga ku kryeministri mundohet t’i anashkalojë me tallavanë si sot.’

“Fushata e Ps-së sot më la shijen e tentativave të këtij njeriu  për të larguar njerëzit nga thellimi. Ajo që sot i mungon më tepër se kurrë shoqërisë sonë është thellimi në fondamentet reale për të cilët kjo shoqëri sot vuan.

Ai bën bukë e cirk atje, bën tallava me një shfaqje krejtësisht të turpshme  që në momentin kur u fut në mes të të rinjve mu duk si skenat e Kim Yong Un në Korenë e Veriut që ngrenë duart dhe bërtasin me të madhe për liderin. Aty s’u fol as për program, as për nevoja njerëzish, thjesht u këndua muzik për t’u larguar nga problemet themelore që ka ky vend.

Opozita duhet menjëherë të kthejë vëmendjen tek problemet reale që kanë njerëzit që kryeministri mundohet t’i anashkalojë me këtë tallavanë. Historikisht Rama është tallur me kundërshtarët, i ka përçmuar, i ofendon indirekt. Ka një gjestikulacion që edhe po nuk foli, thjeshtë gjuha e trupit i ofendon njerëzit.”