VIDEO-SYRI TV/ Qytetari denoncon PS për blerje votash: Më ofruan para për të votuar Rakip Sulin

Nuk kanë munguar as në këto prag zgjedhje denoncimet për blerje votash nga eksponentët e Partisë Socialiste. Rasti më i fundit vjen nga zona e Babrrusë, ku një qytetar ka treguar se si kreu i njësisë administrative të Paskuqanit i ka ofruar para në këmbim të votës për Rakip Sulin.

Nga SYRI TV

Në prag të fushatës elektorale, edhe për këto zgjedhje nuk kanë munguar denoncimet për fenomenin e blerjes së votave dhe mbledhjen e kartave të identitetit. Rasti më i fundit vjen nga zona e Babrrusë, ku familja Bregasi denoncon se drejtuesi i njësisë administrative të Paksuqanit, Eduard Bodini shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë të Partisë Socialiste u kanë shkuar në shtëpi dhe në këmbim të votës për Rakip Sulin u kanë premtuar 10 mijë lekë të reja.

Në këmbim të pagesës, kreu i njësisë administrative, Bodini i ka kërkuar kartën e identitetit, por pas refuzimit, ai është larguar nga banesa e familjes së Lavdim Bregasit.

Qytetarët i kanë shprehur shqetësimin e pagesave në këmbim të votës edhe kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Arjan Hoxha, që kryesisht po ndodh tek banorët që në zonë nuk cilësohen si mbështetës të Partisë Socialiste.

Por ky nuk është denoncimi i vetëm.

Edhe pse Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela i ka shpërndarë së fundmi një qarkore prokurorive të rretheve për hetimin e këtyre rasteve, duket se përfaqësuesit e mazhorancës  nuk janë stepur nga çuarja deri në fund e akteve për tjetërsimin e votave.