VIDEO-SYRI TV/ Balluku pranon dështimin e bordeve të transparencës: Të shkrihen

Qeveria ka paralajmëruar shkrirjen e bordeve të transparencës për karburantet dhe ushqimet e shportës, duke pranuar kështu dështimin e tyre. Zv/kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se vendimi final i takon Ministrisë së Financave, ndërsa foli për projektet e reja dhe për projektet e shumëdebatura, gjatë prezantimit të objektivave të ministrisë së drejton.

Nga SYRI TV

ZV. kryeministrja Belinda Balluku pranoi dështimin me bordet e transparencës, duke paralajmëruar shkrirjen e tyre, megjithëse fjalën e fundit do ta thotë ministrja e Financave.

 Në një prezantim që zgjati më shumë se 2 orë, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, prezantoi vetëm ato që i cilësoi si suksese të qeverisë, por mungesa e eficencës se bordeve, nisi të nxjerrë në pah, dështimet e qeverisë përgjatë vitit 2022.

Balluku e justifikoi standardin e dyfishtë të qeverisë, e cila portin turistik të Durrësit e dha pa garë, ndërkohe që për portin tregtar, bëri garë ndërkombëtare, me faktin se fituesi i paracaktuar është investitor strategjik, megjithëse nuk do të investojë si kapital fillestar as 35 milionë leke.

Numri dy i qeverisë, deklaroi se nuk është e interesuar për skandalin e ish drejtoreshës së kabinetit, të Arben Ahmetaj, e cila është nën hetim, pasi denoncoi se i janë vjedhur 120 mijë euro, të cilat i kishte te padeklaruara dhe të pajustifikuara.

Në prezantimin e ministres së infrastrukturës, dhe energjisë, ra në sy mungesa e drejtorit të OSSHE-së, Ardian Çelës, për të cilin, Balluku e la të hapur mundësinë e zëvendësimit në këtë post.

Zv. kryeministrja njoftoi projektet e qeverisë për vitin 2023, duke nisur nga gazifikimi i Korçës dhe ndërtimi i bajpassit të Elbasanit, ndërsa shtyu sërish afatin për përfundimin e rrugës së Arbrit e cila është inauguruar që në vitin 2021.