Harry sulmon njerkën Camilla: E keqe dhe e rrezikshme

Princi Harry shfrytëzoi 2 intervista për televizione te amerikan CBS dhe ITV për të promovuar librin e ri autobiografik dhe për të sulmuar ashpër njerkën e tij Camila, të cilën e përkufizon si të keqe dhe të rrezikshme.

Në intervistën e realizuar nga Anderson Cooper, Duka i Sussex akuzoi Bashkëshorten Mbretëreshë se kishte sakrifikuar atë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore, duke zbuluar informacione tek mediat, si pjesë e fushatës për rehabilitimin e imazhit, pas lidhjes me babain e tij. kritikat më të rënda deri më tani për Kamilën, vijnë pavarësisht paralajmërimeve të mbretit Charles i 3 për të mos e kaluar vijën e kuqe lidhur me gruan e dytë.

‘Ajo ishte e keqja, ishte personi i tretë në martesë dhe kishte nevojë të rehabilitonte imazhin. Kjo e bënte të rrezikshme për shkak të lidhjeve që po krijonte me shtypin britanik.

Kishte vullnet të mirë nga të dyja palët për të shkëmbyer informacione dhe me Kamilën që ishte në rrugën për t’u bërë Bashkëshortja Mbretëreshë, do të kishte trupa të shtrirë në rrugë për shkak të kësaj’, shprehet princi Harry.

Ai zbulon se së bashku me William i kishte kërkuar Charles-it të mos martohej me Kamilën dhe e akuzoi atë se kishte bërë intriga për t’u martuar me babain e tij dhe marrjen e titullit, Bashkëshortja Mbretëreshë.

Princi Harri akuzoi familjen mbretërore se nuk e kishte mbrojtur bashkëshorten e tij përballë sulmeve mediatike,  dhe tha se ardhja në pallat e Megan nuk shihej mirë nga Uilliam dhe Kate, të cilët sipas tij nuk donin që dikush tjetër të ishte në qendër të vëmendjes.

 ‘Nga mënyra se si vëllai dhe kunata ime po silleshin pas ardhjes së Meghan, mu duk sikur steriotipizimi po ngrinte barriera në mikëpritjen e saj. Ajo ishte amerikane, e divorcuar, biracore; dhe nëse lexon shtypin në të njëjtën kohë që jeton jetën, ka një tendencë ashtu si në familjen time, të të jetuarit në flluskën e tabloideve e jo në realitet’, thekson ai.

Harry flet gjithashtu për dhimbjen e madhe për humbjen e nënës, ndërsa thekson se nuk ishte qëllimi i tij t’i bënte keq pjesëtarëve të familjet me zbulimet e tij. Ai thotë se i do dhe do t’i dojë gjithmonë babain dhe vëllain Uilliam.