Pas arrestimit të Andrew Tate, zbulohen taktikat e trafikantëve për mashtrimin e vajzave

Arrestimi i influencuesit Andrew Tate, i popullarizuar në internet për maskulinitetin toksik, pas një bastisjeje në vilën e tij luksoze në periferi të Bukureshtit, ka nxjerrë në pah rrezikun e vazhdueshëm për trafikim me qenie njerëzore në Rumani dhe përtej.

Hetuesit pretendojnë se katër të dyshuar – siç raportohet, bëhet fjalë për 36-vjeçarin Tate, vëllain e tij, Tristan, dhe dy gra rumune – formuan një grup kriminal për trafikimin e njerëzve në Rumani dhe vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Në mesin e krimeve për të cilat dyshohen është edhe përdhunimi.

Ish-kikboksieri, i lindur në SHBA, me nënshtetësi britanike, Tate ka ndërtuar një markë multimilionëshe në internet mbi konceptet e maskulinitetit, mizogjinisë dhe “krijimit të pasurisë”. Pas arrestimeve, një gjykatë e Bukureshtit urdhëroi të dyshuarit të qëndrojnë në paraburgim për të paktën një muaj.

Problemi i trafikimit me qenie njerëzore dhe për shërbime seksuale në Rumani nuk pritet të zhduket brenda natës. Përderisa numri i rasteve ka rënë që kur Rumania krijoi një Agjenci Kombëtare për ta luftuar trafikimin me njerëz, autoritetet vazhdojnë të raportojnë për rreth 30 viktima të reja çdo muaj.

Në gusht të vitit 2022, Departamenti i Shtetit i SHBA-së e vlerësoi Qeverinë rumune për "përpjekje të rëndësishme", por paralajmëroi se ajo ende "nuk i plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit".

Policia rumune pretendon se rrjeti i influencuesit Tate futi në grackë shtetasit britanikë duke përdorur metodën "djali i dashuruar" – taktikë sipas së cilës trafikantët joshin viktimat me perspektivën e një marrëdhënieje dashurie deri kur ato të mund të detyrohen të qëndrojnë në situata abuzive ose skllavëri.

Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë ka hulumtuar të dhënat zyrtare dhe dëshmitë gjyqësore të viktimave rumune të trafikimit për të identifikuar disa taktika kryesore të trafikantëve të njerëzve. REL-i ka përdorur pseudonime për gratë e përmendura në këtë tekst, me qëllim për ta mbrojtur identitetin e tyre./REL/