SYRI TV/ Prezantohet trajneri i ri i Kombëtares, braziliani Silvinjo emërohet në stolin kuqezi

Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi këtë të hënë trajnerin e ri të përfaqësueses, brazilianin Silvinjo. I pranishëm në ceremoni, ishte kreu i Federatës, Armand Duka, i cili shpjegoi arsyet e kësaj zgjedhjeje si dhe  dy asistentët e teknikut. Vet Silvinjo u shpreh se beson se mund të arrijë gjëra të mëdha nën drejtimin e kombëtares kuqezi, siç është kualifikimi në Euro 2024

Nga SYRI TV

Braziliani Sylvio Mendes Campos Júnior  u prezantua këtë të hënë si trajneri i ri i Shqipërisë. Nën praninë e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka si dhe i dy asistentëve të tij, Pablo Zabaleta dhe Doriva Junior, ish-anësori i majtë hodhi firmën në kontratën që do ta mbajë të lidhur me përfaqësuesen tonë në 18 muajt e ardhshëm.

Kreu i Federatës, Armand Duka u shpreh se objektivi kryesor është kualifikimi në Europianin 2024, ndërsa shtoi se mes shumë alternativash zgjodhi Silvinjon për projektin e përbashkët që kanë dhe jo për aspektin financiar.

Vet tekniku u shpreh se beson fort te kualifikimi në Euro 2024, pasi ndodhemi në një grup të ekuilibruar, ndërsa pranoi se ka shumë punë për të bërë.

Ndihmëstrajneri Pablo Zabaleta u shpreh se shikon në Shqipëri atë që ka parë te Argjentina e tij, ku të gjithë e dashurojnë futbollin.

I pranishëm në nisje të ceremonisë së trajnerit të ri, ishte edhe ish-drejtuesi i pankinës kuqezi, Edi Reja i cili i emocionuar u shpreh se largohet krenar nga vendi ynë, me besimin se ka lënë pas një grup të mirë lojtarësh.

Kujtojmë se debutimin në një ndeshje zyrtare, trajneri i ri do ta bëjë më 27 mars përballë Polonisë, në sfidën e parë eliminatore të Euro 2024.