Izraeli urdhëron policinë të heqë flamujt e Palestinës nga hapësirat publike

Ministri i ri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka udhëzuar policinë që të heqë flamujt palestinezë nga hapësirat publike, duke e quajtur simbolin kombëtar palestinez një akt “terrorizmi”.

Ligji izraelit nuk i ndalon flamujt palestinezë, por policia dhe ushtarët kanë të drejtë t’i heqin ata në rastet kur ata mendojnë se ekziston një kërcënim për rendin publik, shkruan Al Jazeera.

Dhe direktiva e së dielës nga Ben-Gvir, i cili kryeson partinë ultranacionaliste në qeverinë e ekstremit të djathtë të Netanyahu, duket se sinjalizon një qëndrim të ashpër dhe pa kompromis ndaj “shprehjeve të identitetit dhe fjalës së lirë dhe demonstratave pro-palestineze”.

Urdhrat e Ben-Gvir erdhën pas një proteste masive anti-qeveritare në Tel Aviv të shtunën, ku disa demonstrues valëvitën flamurin palestinez.

Protestuesit e etiketuan qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu të betuar së fundmi si “fashiste” dhe avokuan për barazi dhe bashkëjetesë midis palestinezëve dhe izraelitëve.

“Nuk mund të ndodhë që shkelësit e ligjit të valëvitin flamuj terroristë, të nxisin dhe inkurajojnë terrorizmin, kështu që unë urdhërova heqjen e flamujve që mbështesin terrorizmin nga hapësira publike dhe të ndalojë nxitjen kundër Izraelit”, citohet të ketë thënë Ben-Gvir.