SYRI TV/ Shpopullimi, plaga më e madhe për Patosin e Vjetër. Banorët: Nuk ka infrastrukturë, as vende pune

Patosi i Vjetër po shpopullohet, duke bërë që aty të jetojnë vetëm të moshuar. Në mungesë të vendeve të punës, shërbimit mjekësor, por edhe problemeve me infrastrukturën, banorët i janë drejtuar emigracionit ose qyteteve më të mëdha urbane.

Nga SYRI TV

Ky është Patosi i Vjetër kur në vitet 1950 kanë jetuar shumë inxhinierë, arsimtarë, e madje edhe intelektualë të ish-Bashkimit Sovjetik, pasi ka qenë baza e prodhimit të naftës për zonën e Patos–Visokës. Por sot gjithçka është e shkretë.

Banorët e kanë braktisur qytetin duke shkuar drejt qendrave më të mëdha urbane.

Të mbetur pa punë për shkak të kalimit të puseve kompanive private që i kanë larguar nga puna, mungesa e funksionimit sistematik të sistemit urban  që e lidh këtë lagje me qendrën e Patosit të Ri, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në largimin e tyre.

Nga afro dy mijë banorë tashmë në këtë lagje kanë mbetur as 700 prej tyre duke u detyruar që të marrin rrugët e emigrimit si jashtë ashtu edhe brenda vendit.

Banorët ankohen edhe për mungesë të mjekëve, por edhe për probleme në infrastrukturë.

Papunësia, varfëria, kushtet e vështira social ekonomike  ku të rinjtë janë larguar ka bërë që shumë banesat të amortizohen, madje dhe për ata që duan t’i shesin pothuajse është e pamundur.