'Shpërthejnë' virozat respiratore, Alimehmeti: Nuk është Covid, është thjeshtë një grip

Virozat e stinës po sjellin komplikacione për të gjitha grupmoshat. Qindra raste paraqiten çdo ditë pranë shërbimeve shëndetësore dhe në urgjenca, e shumë prej tyre tyre përfundojnë të shtruar në spitale.

Mjekët thonë se në qarkullim janë një sërë virozash respiratore, të cilat po shfaqin komplikacione të shumta, pa dallim moshe.

I ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, për të shpjeguar më shumë rreth këtyre virozave ishte Ilir Alimehmeti –mjek Epidemiolog.

Alimehmeti u shpreh ndër të tjera, se ndonëse qytetarët kanë një tendencë t'i ngatërrojnë virozat me Covid, kjo nuk është asgjë tjetër perveç se një virozë klasike e muajit Janar.

Sipas tij, kjo gjendje gripale mund ta kalohet vetë, përjashtuar rastet e fëmijëve, të moshuarve apo njerëzve me probleme të tjera shëndetësore.

"Nuk është Covid është grip, covid ka janë shumë pak raste, vazhdon qarkullon, në numra të vegjël. Kjo është periudha klasike e gripit e cila për dy vite nuk kaloi ose kaloi pak dhe pritej që të vinte më fort dhe përveç pritjes teorike është edhe ajo praktike . Nëse shikojmë Australinë dhe atje gripi erdhi goxha më fort se vitet e kalura dhe e prisnim këtë dhe në Europë dhe kjo po ndodh. Jemi në mes të sezonit dhe Janari është gjithmonë muaji klasik i rritjeve të arsteve dhe kjo fillon e bie pas janarit. Është një grip i fortë kur bëhet fjalë për mosha të mëdha apo fëmijë e njerëz të sëmurë, që mund të kenë mundesi ndërlikimi por në shumicën e rasteve kalon vetë. Megjithatë simptomat ngelen të ngjashme me Covidin, ju e mbani mend edhe në fillimet e 2020-ës pati zëra që Covidi ka kaluar nga Shqipëria, sepse e ngatërronin me gripin që u kalua në Janar-Shkurt. Tani nuk është më Covid është thjeshtë një grip", u shpreh Alimhehmeti.